Vaso Papaj:Vargje lakuriq


Vaso Papaj

Dikur heshtja të kish mbyllur kufijtë, “çështje vize”,
Por prapë, kurrë s’u ndodhe mes hiçit, kuturu.
S’u bëre kurrë buratin lidhur brenda një kornize.
Shtëpia e poetit, ka qenë e do të mbetet qielli blu.

Me rok ngjizur lindën këto vargje, mbi tastjerë,
Ngrohur me të ftohtët e kasolleve me qiell eternit.
Shpërthyen bravat e godinave veshur në mermer
E prekën zemra njerëzish që kërkonin vetëm dritë.

E këto vargje ngjanin me rok-un, s’kishin shtrat,
Binin, ngriheshin kurdo, natën, ditën, në çdo stinë.
S’kish rëndësi në ç’vend: rrogoz, mëndafsh a baltë.
Edhe në s’deshe, erdhën, edhe ta morën qetësinë.

Si rok-u shtriqen të sinqertë dhe mbi tryeza Bari.
Ngjajnë me kërcimtarë striptizë që mijëra sy përpijnë.
Janë vargje lakuriq, që prekin zemrat për së mbari,
Sa, edhe të lodhur, me nerv ulërijnë për drejtësinë.

Një kafe, buzë rruge. Kalojnë me mijëra sy e veshë.
E ti je dehur krejt, ashtu siç dehesh me polifoninë.
Këto kohë, me ëndrra, rok e poezi me vete do t’i kesh
Dhe si përçartje nate, vet natës do t’i falin dashurinë

About Post Author