” Vazhdon ikja.. askush nuk dëshiron të kthehet… akoma prindërit i luten fëmijës të ikë sa më larg nga ky vënd…”
….. Përsëri në Rinas për përcjelljen e rradhës…..
Nuk ka akoma njeri që kthehet për të rifilluar jetën në tokën “mëmë”. Në pikat kufitare prindërit u luten fëmijët të nxitojnë për të ikur nga ky vënd.
Ky është “shtegu” i shpëtimit, ato rrugica të ngushta të kalimit kufitar. Vetëm këtë “shteg” kanë lënë hapur ata që janë udhëheqësit tanë.
Ikin, vazhdojnë të ikin shqiptarët pa e kthyer kokën, ata që e duan punën, por që nuk e gjetën në tokën “amë”
Ikin dhe do vazhdojnë të ikin ata që duan të drejtën, që kerkuan por drejtësi në këtë vënd asnjëherë nuk gjetën…
Ikin dhe vazhdojnë të ikin nga sytë këmbët ata qe e duan aq fort jetën, por këtu në vëndin e tyre jeta asnjëherë nuk mori atë rëndësi që ka si funksion…
Ikin dhe vazhdojnë të ikin me shpejtësi ata qe e duan dijen, por që këtu në vëndin e të parëve të tyre dija dhe kultura e marrë nuk ka më vlerë dhe nuk të hyn në punë…
Ikin dhe vazhdojnë të ikin se në vëndin e tyre kanë mbetur ca intelektualë të “shitur”, disa në fuksion të varfërisë ekstreme, disa të tjerë që “vuajnë” nga makutëria për tu pasuruar brënda ditës dhe disa që “vuajnë” nga babëzia për të ngjitur në mënyrë marramëndëse shkallët e karrierës…
Ikin dhe vazhdojnë të ikin se këtu quhet kohë e çuar dëm, ku antivlera quhet vlerë e shtuar…
Ikin dhe vazhdojnë të ikin sa kohë të vazhdojë që i “zgjuar” quhet ai që ka më shumë ndjekës në rrjetet sociale sidomos në istagram, ku me i pëlqyeri në to flet çdo ditë për çdo gjë si “kompetent”.
Drejtimi intelektual i vëndit ka mbetur në duart e tyre dhe japin këshilla, kur duhet ti jepnin:
Mësues të afirmuar…Profesorët e pakët akoma të pa “shitur” për të ngjitur shkallët e karrierës….
Intelektualët që akoma e mbajnë në norma të pranueshme karakterin e tyre…
Shkrimtarët dhe njerëzit e letrave që janë më të sinqertë dhe thonë të vërtetën…
….Jam i sigurtë se edhe pas kësaj dite përcjellje nga unë në ditën e nesërme të tjerë do të ikin,
Përsëri Prindërit do tju luten femijëve të tyre që të ikin….