Vdekja e lirisë
Sa larg,
aq pranë mohimit ,
puthur me vdekjen që vërdallosej
në heshtje mizore,
ndër këmbët e përbindëshit ,
përpëlitej liria e mberthyer në vargonj hermetikë ,
e sytë përshëndesnin
agimin e ditëve pa dritë.
E brishtë mbështetej në duart e mëshirës ,
me buzët e mavijosura drejt dimrit,
që ndalte korrjet e fundit,
vërshonte gjaku në damarë,
e grushtat ,
fort shtrëngonin ëndrrën e fikur çdo ditë në sytë e përbuzjes.
Oh ,zot ,pakëz dritë!
Luteshin sytë e
kërkonin lirinë me bebëzat e fikura në marshe funebre,
fanari në fund të dy botëve shkëlqente atje larg horizonteve që skuqnin ekzistencën.
Në zëra tempujsh brohoritnin zotat,
kurbanin e radhës soditnin hienat,
sofrat rënkonin peshën e jashtëqitjes së përbindêshit,
dollia ndalte mëngjeset ende pa zbardhur.
Në zemër të vatrës filizi i një lisi fikej në agoni, rob i tokës ku u lind,
fryma ndali në biruca të lagështa pa dritë,
në mure myshku filloi të vaditej me stërkalat e vegjëlisë,
shpresa u përflak
nga plaget që mbillnin çnjerēzoren.
Nyja e gjuhës u plandos përdhe e pagojë,
marionetat çanin ajrin,
e mali zuri të qante me dënesë,
zërat trumpetonin fillesën mbinjerëzore ,
valēvitur mbi emblema djajsh.
Liria psherëtiu,
ra përdhe ,
u shtri në kalldrëmët e përgjakur ,
me sytë e vagëllyer ëndërronte pranverën.
Blerina Çifliku Behari