Vejusha-Petro Sota


VEJUSHA

Dallgët në breg vinin,

Të bardha me shkumë,

Retë në qiell rrinin,

Sikur flinin gjumë.

Gjumë sikur flinin,

Lëviznin ngadalë,

Ndoshta do t’i shpinin,

Hënës disa fjalë.

Hënës disa fjalë,

Ja kish nisur era,

Ta priste mbi mal,

Se po vinte vera.

Kishte ardhur vera,

Por ty prapë të gjeti,

Si çdo herë të tjera,

Po prisje tek deti.

Tek deti po prisje,

Për çdo ditë vije,

Dhe me valët flisje,

Orë të tëra rrije.

Orë të tëra rrije,

Përgjigje nuk t’vinte,

Lotin s’po e fshije,

Mbi faqe të binte.

Të binte mbi faqe,

I kripur si deti,

Shpirti s’gjente paqe,

I vrarë nga kurbeti.

I vrarë nga kurbeti,

Vejushë kishje mbetur,

Shpirtin tënd e treti,

As gjallë dhe as vdekur.

As vdekur, as gjallë,

Mbetur si një hije,

Tretur nga një mall,

Një mall dashurije.

Humbur larg diku,

Një shpresë po pret,

Detit gjithashtu,

Çdo mbrëmje i flet.

S’të dëgjon askush,

Era vetëm t’shikon,

Kur të vjen në gushë,

Gushën ta freskon.

Gushën ta freskon,

Ëmbël të përkëdhel,

Buza të drithëron,

Një psherëtimë të del.

Të del një psherëtimë,

Zemra se mban dot,

Në buzë po të rrinë,

Dy tre pika lot.

Dy tre pika lot,

Syri të kish qarë,

Por se njomte dot,

Buzën tënde t’tharë.

Në buzën e tharë,

Buzëqeshja kish ngrirë,

Ëndërrat ishin vrarë,

Tharë si shkretëtirë.

Tharë si shkretëtirë,

Nga botë e pabesë,

Me jetë të vështirë,

Nuk të jep as shpresë.

Nuk të jep as shpresë,

Të mbanë gjallë me frikë,

Loti, si një pikë vesë,

Harruar mbi qerpikë.

Mbi qerpikë harruar,

Sa shumë të rëndon,

Me sy të pikëlluar,

Një shpirt që rënkon.

Rënkon shpirti i jot,

Ti vetë shumë e ndjen,

E lig është kjo botë,

Që mirësi nuk gjen.