Vëllezërit Grim-Përktheu Agim Dëshnica


HANSI I MENÇUR

Përktheu Agim Dëshnica

Nëna i tha Hansit:

  • Nga po shkon, o bir?
    Hansi u përgjigj:
  • Jam nisur për te Greta.
  • Mirë, por mos harro të sillesh urtë me atë, Hans!
  • Oh, po. Do të sillem siç më thua ti. Mirupafshim, nënë!
  • Mirupafshim , bir!
    Hansi vajti te Greta.
  • Mirëdita! – e përshëndeti.
  • Mirëdita, Hans! Ç’gjë të mirë më ke prurë?
  • Asgjë. Erdha vetëm që të më japësh ti ndonjë send.
    Greta i dha një gjilpërë.
    Hansi e mori gjilpërën dhe e futi në kashtën e ngarkuar në karrocë dhe u kthye në shtëpi.
  • Mirëmbrëma, nënë!
  • Mirëmbrëma, bir! Ku ishe deri tani?
  • Te Greta isha.
  • Çfarë i çove asaj?
  • Asgjë.
  • Po ajo çfarë të dha?
  • Një gjilpërë.
  • Ku e ke gjilpërën?
  • E kam futur në kashtë.
  • Ke bërë marrëzi, Hans! Duhej ta kishe mbërthyer në mëngë.
  • Nuk më shkoi ndër mend. Herën tjetër do të bëj siç më thua ti.
  • Nga po vete, bir?
  • Te shtëpia e Gretës, nënë.
  • Sillu urtë atje, Hans!
  • Po, do të sillem urtë. Mirupafshim!
    Hansi vajti te Greta.
  • Mirëdita! – i tha.
  • Mirëdita, Hans! Ç’më ke sjellë?
  • Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
    Ajo i dha një thikë.
    Ai e mori thikën dhe e mbërtheu në mëngë.
    Sa u kthye në shtëpi, përshëndeti nënën:
  • Mirëmbrëma, nënë!
  • Mirëmbrëma, bir! Ku ishe gjer tani?
  • Me Gretën.
  • Çfarë i fale asaj?
  • Asgjë. Ajo më dha një thikë.
  • Ku e ke, Hans?
  • E kam mbërthyer në mëngë.
  • Ke bërë prapë marrëzi! Duhej ta kishe vënë në xhep.
  • Mirë, herën tjetër do të bëj siç po më thua.
  • Nga po shkon tani, o bir?
  • Te Greta, nënë. Mirupafshim!
  • Mirupafshim, bir, dhe sillu me mend!
  • Po, po.
    Hansi mbërriti te Greta.
  • Mirëdita! – i tha.
  • Mirëdita, Hans! Hë, më ke sjellë ndonjë gjë?
  • Jo. Ti çfarë do të më dhurosh?
  • Merre këtë kec dhe mirupafshim, Hans!
  • Mirupafshim, Greta!
    Hansi e mori kecin, ia lidhi këmbët dhe e rrasi në xhep. Kur arriti në shtëpi, keci kishte ngordhur.
  • Mirëmbrëma, nënë!
  • Mirëmbrëma, bir!
  • Ku ishe gjer tani?
  • Te Greta.
  • Çfarë i çove?
  • Kurgjë. Ajo më dha një kec.
  • Ku e ke kecin?
  • Në xhep.
  • Ke bërë sërish marrëzi. Duhej ta sillje të lidhur me litar rreth qafës.
  • S’më ra ndër mend. Herën tjetër do të bëj siç më thua.
  • Nga po shkon, o bir?
  • Për te Greta, nënë.
  • Sillu me mend, Hans!
  • Po, nënë. Mirupafshim!
  • Mirupafshim, bir!
    Hansi shkoi te Greta.
  • Mirëdita! – i tha.
  • Mirëdita, Hans! Ç’gjë të mirë më ke prurë?
  • Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
    Greta i dha një copë proshutë derri.
  • Mirupafshim, Hans!
  • Mirupafshim, Greta!
    Hansi e lidhi proshutën me litar dhe e tërhoqi zvarrë. Udhës iu sulën qentë dhe ia përlanë. Hansi mbërriti në shtëpi vetëm me litarin në dorë.
  • Nga po vjen, biri im?
  • Nga Greta, nënë.
  • Ç’dhuratë i dhe?
  • Asgjë. Ajo më dha një copë proshutë derri.
  • Pa ta shoh proshutën, Hans!
  • E lidha me litar dhe e tërhoqa zvarrë, por ma rrëmbyen qentë udhës.
  • Shiko, shiko, prapë me marrëzira ti!? Duhej ta mbartje mbi shpinë.
  • S’ma preu mendja. S’e bej më tjetër herë.
  • Ku po shkon, Hans?
  • Te Greta.
  • Sillu mirë me të!
  • Po, nënë.
  • Mirupafshim, bir!
  • Mirupafshim, nënë!
    Me të mbërritur Hansi, i tha Gretës:
  • Mirëdita!
  • Mirëdita, Hans! – ia ktheu ajo. – Ç’më ke sjellë?
  • Asgjë. Ti çfarë do të më japësh?
    Greta i dha një viç. Mirupafshim, Hans!
  • Mirupafshim, Greta!
    Hansi e hodhi viçin mbi shpinë! Udhës deri në shtëpi viçi e goditi disa herë me shkelma.
  • Mirëmbrëma, nënë!
  • Mirëmbrëma, bir! Ku ishe deri tani?
  • Te Greta.
  • Ç’i dhe asaj?
  • Asgjë. Ajo më fali një viç.
  • Ku është viçi, Hans?
  • E mbarta mbi shpinë siç më the ti, por ai më shembi me shkelma dhe u zhduk.
  • O, ç’marrëzi! Ti duhej ta tërhiqje me ndonjë rrip pas vetes dhe ta mbyllje në stallë.
  • S’më vajti ndër mend. Herën tjetër do të bëj ashtu.
  • Nga po shkon, Hans?
  • Te Greta.
  • Sillu siç duhet me Gretën dëgjon?
  • Po, po, nënë!
    Arriti Hansi te Greta e i tha:
  • Mirëdita!
  • Mirëdita, Hans! Ç’më ke sjellë?
  • Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
  • Këtë herë do të vij me ty.
    Hansi e lidhi Gretën me një rrip rreth qafës, e tërhoqi pas vetes drejt shtëpisë, i hodhi bar për të ngrënë te një stallë, e mbylli atje dhe shkoi te nëna e i tha:
  • Mirëmbrëma, nënë!
  • Mirëmbrëma, bir! Nga ishe deri tani?
  • Te Greta.
  • Çfarë i dhe?
  • Asgjë.
  • Po ajo?
  • Kërkoi të vinte me mua. Unë e lidha me rrip rreth qafës dhe e prura gjer këtu.
  • O, ç’paske bërë! Ku është Greta tani?
  • E kam mbyllur në stallë.
  • Popo, çfarë marrëzie! Ti atë duhej ta trajtoje me dashamirësi! Shko shpejt nxirre jashtë dhe sille këtu!
    Hansi vrapoi, hapi stallën e iu afrua Gretës, por ajo ishte fort e zemëruar. U shkëput nga litari, vrapoi për në shtëpinë e saj dhe s’u bë kurrë nuse e Hansit.