Vendi im
janë dy gjethet,
i bëra varkë!
Brirët e dhisë.
Në çdo portë,
mbijnë nga dy brirë!
Në ballin prej guri.
Ujqit e shtuar në pyjet me lisa
E kuptuan,
Nuk do të jem në dasëm,
Kur martohen Luizë!
Vëndi im
Është ajo vajza me yll në ballë,
E plis.
Në dasmën e saj në Dodonë,
Pirrua i Madh do mbajë fjalim,
Do të na rikujtojë
Për të sajtën herë fitoret tona
Pa pikë lavdi!
Aty do të jem i paftuar!
Vendi im,
Është më shumë i gjerë se fustanella e tij,
Më shumë i gjatë se dufeku që i ka humbur!
Aty të varfërit nuk kanë frikë
nga e nesërmja pa shpresë,
Të pasurit
ende nuk duan t’i kenë fermat e tyre me vallëzime kecërish.
Aty nuk ti lidhin duart
që mbajnë filxhanin e kafes,
Prangat ti hedhin në shpirt!
Ëndrrat ti lidhin me tela të ndryshkur pamundësish!
Në atdheun tim
të gjithë janë Pellazgë,
Përveç pasardhësve të tyre!
Ata duhet të blejnë identitet me copat e pashpirtit që u ka mbetur!
Kush e ka në shitje identitetin e tij,
Mund t’a ndihmoj si ndërmjetës!
Në mëmëdheun tim,
Thonë se gënjeshtra të shkurtra i ka këmbët,
Por të gjithë kanë qejf t’i kafshojnë ndonjë çikë!
Po ju mos u çuditni,
Dy gjethet i bëra varkë!
