Vendstrehimi im
Në ato netë të ftohta me hënën kallkanisur,
Kur s’dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim,
Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur,
Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.
Kur bora qetësisht gjithçka e kish mbuluar
Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë,
Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar
E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.
E në shetisnim rrugës me gishta gërshetuar
Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim.
Me puthje të padhëna aq shpesh të shoqëruar
Unë ty sërish të thoja: Je vendstrehimi im.
E nëse ndodh një ditë, prej teje larg të jem,
Do t’doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijnë,
Nga tjetra botë qetësisht, përsëri do të t’i them:
Të dua fort! Ta dish… Je vendstrehimi im.