Venetike Cako
Ku humbe dashuri

Ku humbe dashuri, ti që yjet bëje të ndizeshin flakë,
Si tani e kujtoj me nostalgji e plot mall,
Në zhurmën e traktorit kur arat ngiste plot gas,
Dhe dielli lëshonte rrezet, fytyra na ndriste çdo cast.
E vogël unë atëherë, çapkëne, me sytë plot shkëlqim,
Fluturonin pulëbardhat, me to fluturoja dhe unë,
Tek nxitoja me mall, dorën ti puthja djalit tim,
Që pluhuri i shtonte fytyrës bukurinë aq shumë.
Sa shpejt rrodhën vitet dhe harresës u tretëm ne dy,
S’dëgjohet më traktori, dhe as pulëbardhat në fluturim,
Ne mbetëm veç hije, netëve pa gjumë kërkoj sytë e tu,
Ku humbe dashuri, u harrove, u trete në mërgim.