Vepër që pasqyron sagën e një familjeje nëpër disa brezni-Nga:Isak Ahmeti   


Nga:Isak Ahmeti   

            ————————-  

I.Në vend të hyrjes

——————————

Romani:DËSHIRË E DJEGUR , vëllimi i dytë , në kërkim të rrugës së humbur , fq.451 , i autorit Ramiz SELIMIT , është një vepër e mirëfilltë letrare-artistike , vepër gjithsesi  me vlera shumështresore që ia vlen të lexohet dhe rilexohet  edhe për faktin se  aty, siç e ka vlerësuar  edhe Prend Buzhala , autori paraqet “sagën e një familjeje nëpër disa brezni”(Vep.e cit.fq.444).

Romani:DËSHIRË E DJEGUR ,vëllimi i dytë , në kërkim të rrugës së humbur ,  të cilin po e marrim në shqyrtim , ka një arkitekturë epike dhe  përmban një gamë të gjerë temash dhe motivesh ku narratori  sikur e merr rolin jo vetëm të sociologut por edhe të dëshmitarit  për të dëshmuar mbi kohën e tij , mbi shoqërinë apo mbi komunitetin e tij ,  për të dëshmuar për fatin e individit , për ekzistencën e tij , duke depërtuar në substancën e shpirtit të këtij mjedisi e të mjediseve të ndryshme.Kështu , prandaj , autori ,siç shihet edhe në faqet e këtij romani , narratori jo vetëm bashkëbisedon por edhe bashkëndjen me fatin e tyre(fq.450) …

II.Pak biografi për autorin

——————————————

I lindur më 1966 në fshatin Pjeterq i Epërm, Komuna e Klinës ,Ramiz Selimi  , pas shkollës fillor  dhe Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” ku ishte i dalluar si nxënës ekselent , studimet do i vazhdojë në Fakulterin Teknik , dhe më pas për shkaqe politike ishte i detyruar ta merr rrugën e mërgimit.Rrjedh nga një familje e shquar atdhetare , e cilësuar si armike nga pushteti serbosllav dhe si e  tillë jo vetëm që ishte e izoluar por edhe e përndjekur vazhdimisht.

Pas akomodimit në Austri , krahas punës ai vazhdon studimet për biznes dhe menaxhment në një kompani të njohur të sigurimeve.Pas adaptimit , akomodimit dhe integrimit në sho qërinë austriake , Ramizi arriti ta përfundonte me sukses edhe gazetarinë , në ç’drejtim ka dhënë një kontribut të shquar  duke shkruar për veprimtarinë dhe ngjarjet që ndërlidheshin  me jetën e mergimtarëve .Ka shkruar dhe botuar qindra opinione dhe analiza mbi problemet e shoqërisë shqiptare .Është marrë edhe me përkthime.

Bashkë me miqtë e tij austriakë , ka themeluar “Shoqatën  shqiptaro-austriake në shërbim të atdheut”.Ishte kryetar dhe nënkryetar i disa shoqatave në Austri.Gjatë kohës së luftës , me shumë miq atdhetarë dhe organizata humanitare ishte tepër aktiv në mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave, personave të zhvendosur nga lufta.Ka marrë pjesë aktive  jo vetëm në organizimin por edhe në promovimin kulturor të shqiptarëve në Austri.Ka kontribuar dukshëm edhe në instalimin dhe realizimin e disa projekteve  sociale dhe zhvillimore në vendlindje.

Ai ka bërë  emër jo vetëm si publicist  por edhe si romansier.Ka botuar librat: RRËNJËT E KUJTESËS”,vëllimi i parë i romanit biografik.Ka botuar edhe vëllimin e dytë të romanit:DËSHIRË E DJEGUR” ndërsa ka përfunduar edhe vëllimin e tretë që pritet ta botojë në fillim të vitit 2024 .

III.DËSHIRË E DJEGUR-ROMAN ME

——————————————————–

 ARKITEKTURË EPIKE

———————————–

Duke u marrë me leximin , analizën dhe vlerësimin  e romanit:DËSHIRË E DJEGUR, Në kërkim të rrugës së humbur (të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim  me rastin e manifestimit : Ditët e Gonxhës në Letnicë, për çka e falënderoj nga zemra , edhe për ndejën miqësore tek Rest”Jozefi” në Stubëll),  le të më lejohet të ritheksoj se  ky roman , që ka një arkitekturë epike mjaft të përkryer , përmban një gamë të gjërë temash dhe motivesh ku narratori dëshmon për fatin tonë  , pasqyron sagën e një familjeje nëpër disa brezni.

Kryepersonazh i romanit është Dardan Iliri , që bart idenë kryesore të romanit si dhe emblemën e njeriut shqiptar , gjeneratës që i ka rrënjët thellë në histori , njeriun autokton, që trashëgon traditat dhe vetë historinë si barrë , një ideal arketipor ky i autorit ,kurse nga ana tjetër , siç ka vlerësuar  edhe Prend Buzhala(Vep.e cit.fq.445) ai përfaqëson gjeneratat që kanë përjetuar dhunën serbosllave edhe në ushtri, përndjekjet e policisë e peripecitë sociale të jetës studentore si dhe të mashtrimeve për një jetë më të mirë.

Jo vetëm personazhin kryesor por edhe personazhet e tjerë që i hasim në këtë roman ,që nga fillimi ,në çdo hap të jetës, i përcjellin jo vetëm  mashtrimi dhe shqetësimet për një të ardhme më të mirë , por edhe zhgënjimi  ,zemrimi dhe revolta…

Në roman kemi përshkrime shumë të bukura ,  realiste , jo vetëm  të ambienteve të ndryshme  , por edhe  të jetës së rëndë  ,  të.personazheve që vuajnë , që goditen nga padrejtësitë , jo vetëm sociale por edhe kombëtare.

Pa hyrë në një analizë më të thellë të këtij romani , le të theksojmë krejt në fund se ai , ndonëse shumë vëllimor ,me  451 faqe , lexohet me një frymë edhe për faktin se përmban vlera shumështresore për çka autori meriton një mirënjohje të veçantë!