Vepra monumentale e dr. Bardhyl Mahmutit “Mashtrimi i madh”-Zekerija Idrizi


“Ne, serbët, jemi një popull që edhe kur rrejmë – rrejmë në mënyrë krijuese” (Dobrica Çosiq – akademik serb)

Për fundamentalizmin islamik, si rrymë politike fetare, tek popujt myslimanë të trevave të ish-Jugosllavisë, në përgjithësi, dhe tek shqiptarët, në veçanti, mund të flitet si përrallë ose fantom, i gatuar në kuzhinat politikaneske e mediumeske (zhurnalistike) sllavo-ortodokse me qëllim të provokimit të jomyslimanëve për gjoja rrezikun që u kanoseshka ortodoksëve sllavë nga ekspansionizmi islamik i tyre, nga njëra anë, dhe, në fakt, për të arsyetuar aktet e tyre gjenocidale, urbicidale e kulturocidale, që i ushtronin ndaj shqiptarëve, në arenën ndërkombëtare, nga ana tjetër.

Shumë diletantë islamistë nga radhët e intelektualëve sllavë, profilesh të ndryshme, veçan ca orientalistë të tyre, duke mos e njohur në esencë domethënien e konceptit “Islam” – të cilin ata e kundrojnë thjesht diletantçe vetëm nga aspekti politiko-ditor, e jo edhe nga aspekti i vlerave të tij shumëdimensionale kulturo-qytetëruese – nxjerrën në pah bindjet e tyre ultrafundamentaliste pravosllave, nëpërmes të cilave krijuan në mënyrë tendencioze një konglomerat të tërë insinuatash e etiketimesh duke ia mëveshur luftës së drejtë, paqedashëse dhe heroike të boshnjakëve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe të shqiptarëve në trojet e tyre iliro-dardano-shqiptare.

Pas kreaturës së imagjinuar “fundamentalizëm islam” fshihet fundamentalizmi i realtë pravosllav

Strateg ideor i shpikjes së idesë fantazmagorike “fundamentalizëm islamik” në ex-Jugosllavi, respektivisht në serbosllavi, është orientalisti serb, dr. Miroljub Jevtiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Juridike të Universitetit të Beogradit, një diletant i madh ky islamist i cili një kohë bukur të gjatë prej studjuesi ia kushtoi një teme aq serioze e akute të kohës: marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe politikës, përkatësisht raportit ndërmjet Islamit dhe politikës, në çka edhe doktoroi (teza e doktoranturës së tij: “Xhihadi – lufta e shenjtë në Islam”). Për më tepër diletantizmin e tij në fe do ta konfirmojë edhe vetë rektorati i Universitetit kur i refuzuan atij postin e ligjëruesit të një lënde më se serioze: “historia e religjionit” ose “fetë komparative”.

Ky ultrafundamentalist sllavo-ortodoks, diletantizmin e tij në fe dhe në politikë do ta shprehë në librin e tij përplot gënjeshtra dhe halucinacione me titull: “Kush dëshiron shtet islamik në Ballkan?”. Libër ky i botuar në vitin 1995 i cili synonte të mistifikojë dhe të satanizojë luftërat dhe përpjekjet e drejta të shqiptarëve dhe boshnjakëve për liri dhe pavarësi. Ndërkaq diletantizmin politiko-religjioz në raport me shqiptarët ai do ta shprehë edhe më qartë. Etiketimet dhe insinuatat e imagjinuara nga koka e tij, si, bie fjala, “fundamentalizëm islamik”, “intifadë”, “xhihadizëm” etj., krejt iracionalisht do t’ua mëvesh demonstratave shqiptare të vitit 1981 në shtetin e Kosovës, ndërkohë që ato u etiketuan si mos më keq dhe me “-izma” të tjerë nga estabilishmenti politik beogradas, si, bie fjala: nacionalizëm, separatizëm, shovinizëm, kontrarevolucion etj. Etiketa këto imperialiste religjioze që binin ndesh ashiqare me realitetin e luftës dhe përpjekjeve ideopolitikisht kombëtare dhe poltiko-diplomatikisht laike e evroperëndimore të shqiptarëve. Madje, teoritë e tija paradoksale se nacionalizmi, nataliteti gjithnjë në rritje, emrat turko-arabo-aziatikë të shqiptarëve, dimijat tipike tradicionale të nënave tona nëpër viset rurale të Kosovës janë elemente fundamentaliste (!?) që burojnë nga gurra islame – janë dëshmi mbi dëshmitë për diletantizmin e tij kundruall realitetin të botës shqiptare.

Pra, edhe në universin shqiptar, aktorët sllavë lozin po të njëjtin skenar tragjiko-komik: shpikin gogolin apo kreaturën e imagjinuar “fundamentalizëm islamik” tek shqiptarët për të kamufluar mjeshtërisht fundamentalizmin e realtë të tyre, përkatësisht aktet e tyre gjenocidale në dramën tragjike gjithëshqiptare. Edhe përkundër kamuflazhës së tyre, fundamentalizmin sllavo-ortodoks serb e dekonspiron pikërisht qasja “allajeftiqiane” kundruall kësaj sintagme. Nëse kjo qasje e definonte fenomenin fundamentalizëm nga prizmi politiko-imperialist religjioz si “ngritje të një fundamenti fetar deri në atë nivel sa të dëmtojë e të diskriminojë fundamentin e një feje tjetër”, atëherë lakuriqësohen në pikë të ditës këto “sekrete” publike:

Serbët, të nxitur prej mitomanisë së tyre shtetomadhe, respektivisht prej megaloidesë së tyre sllavo-ortodokse, nga Kosova iliro-dardano-shqiptare si DJEP I SHQIPTARIZMIT krijuan në mënyrë imagjinare “tokë të shenjtë” serbe, “Jerusalem serb” etj.

Gjatë harkut kohor 1878-1997 pushteti makabral sllavo-ortodoks asgjësoi, përshtati, modifikoi, krijoi ose ngriti buste, monumente, kisha, manastire, si dhe vendosi pllakata e simbole të reja kishtare serbosllave anembanë Kosovës. Do të thotë, thënë më shkoqur, mbi themelet e tempujve tanë të lashtë kishtarë kristianë ata ndërtuan kishat dhe manastiret e tyre obskure e politike svetisaviane, dhe nëpërmes tyre ndërtuan paradoksalisht mitin tyre mbi “Kosovën dhe Metohinë” si “tokë e shenjtë serbe”.

Gjatë periudhën së apathejdit racist millosheviqian ata, për ironi, vunë themelet e kishave të tyre ortodokse në qendër të kompleksit të Universitetit të Prishtinës dhe në qendër të Gjakovës.

Nëpër muret e objekteve sekulare dhe sakrale (fetare) shqiptare, gjithandej trevave të Kosovës shkarravitnin lloj-lloj shkresurinash e grafitesh me përmbajtje fundamentaliste e nacional-shoviniste sllavo-ortodokse, të ilustruara me kryqin e tyre, si, bie fjala: “Smrt Šiptarima” (Vdekje shqiptarëve). “Šiptari nazad u Albaniji” (Shqiptarë kthehuni në Shqipëri)

Në trupat e të arrestuarve shqiptarë në mënyrë drakonike gëdhendnin me thikë kryqin me katër “S-at” (simbol ky i mbretërisë serbe) e ideologjisë së tyre sataniste.

Dhe, më në fund, përgjatë luftës së fundit brenda viteve 1998-1999 ata dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë; vranë 13 mijë shqiptarë dhe mbi 7 mijë të tjerë i humbën pa gjurmë; demoluan, dogjën dhe rrënuan gjithsej 218 xhami (tempuj fetarë), teqe, mejtepe e pronat vakëfnore të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfshirë këtu edhe xhami të vjetra, të cilat si monumente të vjetra kulturore gjendeshin nën mbrojtjen e UNESKO-s (si p.sh. xhamia e Hadumit në Gjakovë (1595), xhamia e Rogovës së Hasit (1580), xhamia e Çarshisë (ndryshe Bajrakli-1471, në oborrin e së cilës janë të varrosur dy prijësit e shquar të Lëvizjes Shqiptare: Haxhi Zeka dhe Ali Pashë Gucia), xhamia e Kurshumlisë (1577), xhamia e Gazi Isa Beut në Mitrovicë (1465) etj.; keqtrajtuan klerin mysliman shqiptar (disa prej tyre edhe i ekzekutuan); përdhunuan femrën shqiptare dhe çfarë jo tjetër.

Dhe, e dini, të gjitha këto akte makabrale sllavo-ortodokse u bënë me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ata, thjesht, me çdo kusht u përpoqën të mohojnë etnogjenezën e tempujve dhe simboleve tona të lashta katolike kristiane, dhe, njëkohësisht, u përpoqën në çdo mënyrë të shkatërrojnë çdo gjurmë kulturo-qytetëruese islamike. Ka pasur plotësisht të drejtë, prandaj, shkrimtari me famë botërore Mario Vargas Losa kur, duke qenë dëshmitar i luftës së fundit në Kosovë, pohoi: “Objektivi i Millosheviqit ka qenë e mbetet SPASTRIMI ETNIK, shndërrimi i Kosovës në një provincë qindë për qindë serbe dhe ortodokse, ku nuk do të ngelë këmbë myslimani e shqiptari”. Ndërkaq Andrush Ridlemeyer-ekspert i artit në bibliotekën e Universitetit të Harwardit, duke iu referuar gjenocidit, kulturocidit dhe urbicidit serb mbi shqiptarët në Kosovë, me 28.11.1999 përmes valëve të BBC-isë ka konstatuar: “Kur një popull bëhet objekt i sulmeve brutale për shkak të përkatësisë kombëtare, kulturore dhe fetare, synimi nuk është më vetëm shkatërrimi i vetë popullit, duke i dëbuar njerëzit nga vendbanimet e tyre, por edhe shkatërrimi i objekteve që dokumentojnë se ata kanë jetuar në atë vend”. Po në këtë kontekst, ndërkaq, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Moikom Zeqo thekson: “Gjenocidi kulturor serbosllav mbi monumentet dhe mbi dëshmitë autentike shqiptare flasin për një gjenocid jo vetëm fizik por, sidomos, një gjenocid shpirtëror. Dhe, në të vërtetë, kjo është më e rënda … Një krim ky që bëhet për të zhdukur autoktoninë e shqiptarëve mijëvjeçarë në trojet e tyre … Ky është një HOLOKAUST i kulturës dhe i shpirtit, një gjenocid madje i kulturës dhe qytetërimit botëror …” (fusn: Për më gjerësisht shih artikullin e tij: “Shkatërrimi i vlerave kulturore dhe historike në Kosovë është gjenocid ndaj kulturës së njerëzimit”, të botuar në librin dokumentar “Gjenocidi serb në Kosovë”, Tiranë, 1999, fq. 74).

Të gjitha këto akte shkatërrimtare pushteti sllavo-serb i bëri me bekimin e Kishës Ortodokse Serbe. Me qindra fakte flasin qartazi për pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të Kishës Ortodokse Serbe, si krah i djathtë i politikës së këskohëshme fashiste millosheviqjane, në gjenocidin serb mbi shqiptarët dhe gjithëçka shqiptare në Kosovë. Dihet se qysh nga formimi i kishës nacionale ortodokse serbo-sllave nga Sveti Sava, në vitin 1219, kjo kishë ka pasur qëndrim armiqësor ndaj feve joortodokse dhe popujve joserbë, e sidomos ndaj shqiptarëve, pa marrë parasysh se cilës fe i takonin. Ajo jo vetëm që i bekoi, por ishte edhe një nga faktorët kyçë që dha kontribut në hartimin e programeve e elaborateve famëkëqija nacional-shoviniste serbe, që synonin zhbërjen totale të shqiptarëve, edhe atë duke filluar që nga Naçertanija e ilija Garashaninit (1844), Vasa Çubrilloviqit (mars 1937 dhe i dyti më 1944), Ivo Andriqit (1939), Vukotiqit, Memorandumit të Akademisë së Shkencave e Arteve të Serbisë (1986) e deri tek ato të mëvonshmet nga periudha e sundimit të regjimit të Millosheviqit.

Ish-Myftiu i Kosovës, dr. Rexhep Boja, në intervistën e tij me titull “Krerët e Kishës Ortodokse Serbe duhet të ndërgjegjësohen”, dhënë revistës “Dituria Islame” (nr. 111-112) në tetor të vitit 1999, ndër të tjera, theksoi: “Patriku Pavle deri tani nuk e ka thënë akoma asnjë fjalë të vetme për vrasjen dhe masakrimin e mbi dhjetë mijë shqiptarëve, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë, për arrestimin e mbi shtatë mijë shqiptarëve nëpër burgjet serbe, për dhunimin çnjerëzor të një numri të konsiderueshëm të femrave tona, për djegien e qindra mija shtëpive…madje për djegien dhe rrënimin e mbi dyqind xhamive nga ana e besimtarëve të tij…” (fusn. Për më gjerësisht shih: Zekerija Idrizi, “Xhamia në analet e historisë”, botoi Fondacioni i Rinisë Islame, Zürich, 2009, fq. 127-160).

Nga lufta gjenocidale serbo-çetnike në Kosovë në periudhën kohore 1998-99, forcat militare e paramilitare sllavo-serbe vranë gjithsej 11.840 viktima shqiptare nga Kosova, prej tyre 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1739 femra, 1882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare, 1450 banorë ende janë të pagjetur. Janë dhunuar 20.400 femra shqiptare.

Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët e dëbuar prej Kosove: Janë dëbuar nga Kosova rreth 1 milion banorë, 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni; 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë, gjithsej 782.100.

Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.

Dhe, më në fund, pikërisht këto vlera imanente kombëtare dhe pro-perëndimore të kombit tonë bënë që e mbarë bota e qytetëruar të reagojë në stopimin e gjenocidit serbomadh në Kosovë. Forcat e NATO-së reaguan ushtarakisht në Kosovë. Tek binin bombat mbi caqet ushtarako-policore serbe, Vuk Drashkoviqi ulërinte i përqartë: “Amerika dhe Evropa janë të krishtera, ne jemi të krishterë dhe, ja, ata po na bombardojnë!”

USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE “FUNDAMENTALIZMI ISLAMIK”

Në veprën e tij kapitale “Mashtrimi i madh” Dr. Bardhyl Mahmuti i kushton një kapitull të veçantë temës së “fundamentalizmit islamik”. Në fillim ai konstaton “Në periudhën historike të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shqiptarët stigmatizoheshin si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Evropë”. Pikërisht në “Librin e Bardhë” – botim i regjimit të Millosheviqit në vitet 1999, 2000, 2001 dhe i modifikuar në vitin 2003 konform konteksteve politike ndërkombëtare, dominonin etiketimet politike dh ideologjike për politikën dhe diplomacinë shqiptare si “separatiste” dhe “fundamentaliste islamike”.

Më tej, Dr. Bardhyli konstaton: “Para se të trajtoj përmasat e ndikimit të kësaj propagande, e shoh të udhës të ndalem në disa nga shtyllat e strategjisë serbe të stigmatizimit të UÇK-së. Kjo do të më mundësojë të nxjerr në pah faktet se nocionet: “fundamentalizmi islamik i UÇK-së” dhe “mafia shqiptare” janë sajuar nga Shtabi Strategjik i Millosheviqit në funksion të legjitimimit të agresionit të tyre ushtarak dhe policor në Kosovë”.

Misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare materialin e përgatitur nga shërbimet sekrete të Serbis, nëpërmjet të cilit “informonin” se “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së”.

Për të “shitur” më lehtë stigmatizimin e luftës çlirimtare të Kosovës si të ishte një luftë fetare, siç rrëfen Dr. Bardhyli, autorët e “librave të bardhë” shpërndanë gënjeshtrën se gjoja “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998 separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! Në përputhje me këtë thirrje një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.”

Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it që “frikësonin” evropianët me rrezikun që u kanosej të islamizoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës sikur të ishte luftë me konotacion fetar.

Në fakt – konstaton në vijim Dr. Bardhyli, kjo ishte një gënjeshtër, sepse Konferenca e 18-të islamike nuk u mbajt në Pakistan, por në Arabinë Saudite, edhe atë dhjetë vjetë para Luftës së Kosovës, pra në datat 13-16 mars 1989. Dhe, jo vetëm që nuk ka mundur të përmendet në të Lufta e Kosovës, por as vetë Kosova nuk është përmendur fare.

Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25 të kësaj organizate u miratua rezoluta 19/25, që kishte të bënte me situatën në Kosovë. Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.

Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islamik dhe për gjoja “instruktorë të fundamentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë te ndërkombëtarët. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu asokohe publikisht ministri i Informacionit të Sërbisë, Goran Matić. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Medzunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fundamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa, kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë.”

Pikërisht këtë kohë, shërbimet sekrete serbe shpërndanë “informatën” se gjoja “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës Al Kaida dhe celulat e saj në Kosovë e Metohi.” Sipas kësaj propagande – sikundër citon Dr. Bardhyli te vepra e tij “Mashtrimi i madh”, përveç Bin Ladenit “në atë takim kanë qenë prezent edhe Muhamed Al-Zawahiri, vēllai i ideologut të Al-Kaidas, Ajman Al-Zawahiri-t, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazidede – ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaqi dhe Ramush Haradinaj…”

Kjo ishte një nga gënjeshtrat më të mëdha të propagandës serbo-jugosllave, të cilën e dekonspiron me fakte bindëse Dr. Bardhyl Mahmuti në veprën e tij monumentale “MASHTRIMI I MADH”, botuar nga “Çabej”, në Tetovë vitin 2015 … Dhe ai, pikërisht në këtë vepër, dokumenton katërcipërisht luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikën e saj fundekrye kombëtare, demokratike, laike dhe konform kërkesave dhe rregullave euro-atlantike. …

Në esencë, përmes kësaj vepreje Dr. Bardhyli ka ngritur lartë imazhin pozitiv të kombit tonë në botë, në përgjithësi, dhe të UÇK-së, në veçanti.

Zekerija IDRIZI – Fragment nga dorëshkrimi im “FUNDAMENTALISTËT E KTHEJNË BOTËN KOKËPOSHTË”