Vera dhe zanat-Kristo Çipa


Kristo Çipa

VERA DHE ZANAT

Tani që deti i urtë i fton drejt thellësive dhe mistereve të tij të gjithë, zbresin prej lartësive e bukurive, Zana e Zëra dhe i turbullojnë shpirtin detit dhe zemrën poetit

ZANË E ZEMRËS Ç’KE ?

Sonte nata u vonua

Nuk e di se pse?

Edhe bregu u verbua

Zanë e zemrës ç’ke?

Zanë e maleve ç’më thua?

Puthe det, puthe për mua!

Erdh një shtizë e m’u lëshua

Nuk e di sepse?

Bota ime m’u rëzua

Zanë e zemrës ç’ke?

Zanë e deteve ç’më thua?

Puthe det, puthe për mua!

Merak i vjetër m’u zgjua

Nuk e di sepse?

Me ca qerpik m’u mbulua

Zanë e zemrës ç’ke?

Zanë e yjeve ç’më thua?

Puthe det, puthe për mua!

Erdhi vasha m’u dorzua

Nuk e di sepse?

Si kokërr rrufe në duar

Zanë e zemrës ç’ke?

Zanë e deteve ç’më thua?

Puthe det, puthe për mua!

Lëshoi flokët mbi mua!

Unë di sepse

Nëma shpirtin një natë hua

Zanë e zemrës ç’ke?

Zanë e maleve ç’më thua?

Puthe det, puthe për mua!

Ti që xhelozon dhe retë

Nuk e di sepse?

Nëm rini e merrëm jetë

Zanë e zemrës je

Zanën me supe përpjetë

Lere det, do ta puth vetë!