Vështrim për romanin “Lugjet e verdha” të shkrimtarit Rexhep Hoxha…Nga Zymer Mehani


Zymer Mehani
E kujtojmë shkrimtarin për fëmijë, Rexhep Hoxha në katërvjetorin e shkuarjes në amshim
VËSHTRIM PËR ROMANIN “LUGJET E VERDHA” TË SHKRIMTARIT REXHEP HOXHA…
-Përmbajtja dhe veçoritë stilistike
I
Në romanin “Lugjet e Verdha” trajtohet një temë që nga aspekti kohor i takon lashtësisë. Në muranat e fshatit Arrnjet, dikur shumë të bukur, por të rrënuar, të plaçkitur dhe të djegur në kohën e sundimtarit të ashpër dhe të pashpirt, Ballhutës, autori ka gjetur një temë të lashtë. Njëmend, gjurmët e atij fshati kanë mbetur vetëm në muze, por ato i tregojnë qartë njeriut të kohës sonë se aty kanë jetuar njerëz, sikurse jemi edhe ne dhe se jeta e tyre ka perënduar… Në mesin e banorëve të tjerë, në atë fshat të bukur, kanë jetuar edhe Bardheci e Ajkuna me shtatë çikat e veta e pa asnjë djalë.
Një ditë prej ditësh Bardheci e çon tufën në mal. Nga mjegulla dhe moti i lig, Bardhecit i humbin dhentë. Kot e kërkonte Bardheci tufën, sepse delet i kishte zënë Ujku Delengrënës, i cili do t’ia kthente delet vetëm me kusht që t’i jepte atë që do t’i lindte atë ditë në shtëpi. Duke menduar se do t’i pillte lopa, Bardheci e dha fjalën.
Por, atë ditë, Bardhecit i kishte lindur djali aq i dëshiruar. Edhe pse i pikëlluar, ai i mbetet fjalës. Djalit ia ngjet emrin Shpend dhe ia çon Ujkut Delengrënës.
Ujku Delengrënës ia ngjet congël foshnjes e mbërthehet, tanë i gëzuem, për në strofkën e vet,. Shpendi është i vocërr, prandaj Ujku nuk është i kënaqur-sepse nuk ka ku t’ia ngulë dhëmbët. Ulkonja dhe Qengjngrënësit e vegjël po ashtu nuk i bëjnë gjë Shpendit. Të gjithë presin që Shpendi të rritet dhe të majet, por ai qan e bërtet në strofkën e Ujkut…
Për këtë merr vesh Bishtkuqja Xinxare dhe lajmëron xinxaret e tjera. Bishtkuqja ishte e shpejtë si vetëtima, e kujdesshme si motër e mirë dhe e dëgjueshme sa s’ka. Bishtkuqja Natare, të cilën e dëgjonin dhe e nderonin të gjitha bishtkuqet dhe shpendët e tjerë, urdhëroi që ta ruanin dhe ta ushqenin Shpendin. Madje shkuan në Lugjet e verdha dhe e kërkuan nënën e pyllit-Erëmirën, e cila kujdesej për të gjitha gjallesat e varfra dhe fatkëqija të pyllit. Ajo, me bishtkuqet e tjera, vendosin që të bëjnë çmos për t’i ndihmuar Shpendit. Por, në momentin e fundit, Ujku Delengrënës ia çon zogun e njeriut Plakës Ugurzezë, që ajo ta ushqente derisa t’i mbushte pesëmbëdhjetë vjet e pastaj t’ia kthente që ta hante.
Jetë të vështirë dhe të keqe kalonte Shpendi tek Ugurzeza, duke jetuar në një qilar të hatashëm, të zi futë nga bloza, me mure të mbuluara me këmisha gjarpinjsh e bollash- sa të hynte tmerri në zemër vetëm po t’i shihje me sy. Shpendi ishte bujar dhe i mirë për çdokënd e pa fijen e smirës. Donte shokë dhe i gjeti. Edhe pse në fillim disa e ngacmonin, më vonë e pranuan në shoqërinë e tyre. Por, ai dallohej nga të gjithë. Ishte shumë më i ndjeshëm. Kur shokët e tij e varën Turrecen e zogjtë e saj mbetën jetimë, ai i ruante dhe i ushqente. Prej atëherë Shpendi u bë bamirës.
Një ditë, në pyll, me latushë në krah, Shpendi dëgjoi zërin e vajtueshëm të zogjve të Havakushës, që kërkonin ndihmë. Kur shkoi atje, një Gjarpër i madh e i trashë kishte zgjatur kokën dhe donte t’i kapërdinte zogjtë e Havakushës. Gjarpri ishte rreziku i tërë malit, synonte t’i shfaroste të gjithë shpendët dhe askush s’mund t’i bënte gjë. Shpendi e shtrëngoi zemrën, e rroku latushën dhe, me shpejtësi të rrufeshme e me tërë forcën që kishte, i ra Gjarprit mu në rruzë dhe e copëtoi. Kur u kthye Havakusha, duke menduar se Shpendi po kërcënonte zogjtë e saj, deshi ta sulmonte. Por, zogjtë i treguan se ai ishte shpëtimtari i tyre. Prandaj Havakusha e shpërbleu me një pendël të kuqe. Shpendi nuk i kishte shpëtuar zogjtë për shpërblim, por, që të mos e fyente dhuruesen, e mori pendlën. Më vonë pendla i ndihmoi shumë- sepse, me anën e saj, ai tash mund ta kuptonte gjuhën e shpendëve. Kështu, njëherë dëgjoi Kicirubat duke kënduar për rrezikun që u kërcënohej dhe- i shpëtoi nga rreziku. Pastaj Kiciruba i tregoi se çka kishte nën krahë dhe shpendi gjeti aty plot gurë të çmueshëm, me të cilët do të mund të bëhej i pasur dhe i lumtur. Por, Shpendi mori vetëm disa.
Një ditë, Shpendi takoi në rrugë Pëllumb Krahshkruarin, i cili e përshëndeti dhe i tha Të merr dorën para shpendëve-Fajkona, të kthesh sot tek ajo për drekë! Kur mbërriti në Prozhmën e Gjelbër, Shpendi u habit nga përgatitjet e mëdha, stolitë e bukuritë që kishin krijuar vetë shpendët artistë: këngët gëzimplote, orkestrinat, koret etj. Kurse në festën e mikpritjes ishin mbledhur të gjithë shpendët-pos atyre që bëjnë dëme. Shumë gëzim u bë për nder të Shpendit-shpëtimtarit të zogjve të Havakushës. Mandej e dekoruan me katikun më të lartë të parisë së shpendëve, me Katikun e trimërisë.
Duke udhëtuar, Shpendi u ndal për të pushuar në një livadh, ku vite me radhë askush nuk kishte guxuar të ngulte këmbën. Bolla, shumë e madhe dhe e fuqishme, e kishte zënë atë livadh vetëm për vete. Tsh, Bolla u zemërua shumë nga guximi i Shpendit: as trima mbi trima nuk kishin guxuar të shkelnin në livadhin e saj, e ky tash kishte hyrë në livadh për të fjetur! Dhe-u përgatit t’i gjuhej me tërë forcën në shpinë. Por, shpendit, mu si flakë rrufeje i bie mbi fytyrë një Sqepkuq, e zgjon prej gjumit dhe përsëri fluturon e bie mbi mështekë. Shpendi frikësohet, por kur i vërsulet Bolla, pas një kacafytjeje të egër, e pret me latushën e vet dhe shpëton nga rreziku. Në këtë mënyrë, Sqepkuqi ia kthen të mirën shpendit, i cili e kishte shpëtuar një herë. Fshatarët gëzohen shumë kur dëgjojnë se Shpendi e ka mbytur Bollën. Kërkojnë ta shpërblejnë, por ai shkoi në rrugë të vet.
Duke ecur Shpendi takon tre shokë, të cilët dinin të bënin mrekullira. Njëri kishte qenë rrogëtar, e zotëria si zotëri, ia kishte dhënë rrugën e madhe. Tash ai ndëgjonte çka po bahej në tokë e në qiell. Shpendi e merr me vete. Rrugës e takon një shok, forca e të cilit ishte mrekulli e madhe. Ai luante me bjeshkët: ia ngjitte bjeshkës me dy gishta dhe e gjuante prej një ane në tjetrën. Edhe këtë e morën me vete. Më në fund, hasën edhe në një shok, i cili u hukatte shkambijve dhe i ndizte flakë. Kështu Shpendi u bë vetë i katërti.
Të bashkuar, tash, katër shokët u nisën te Gjin Xhelati që, me njerëzit e vet, kishte prerë e vrarë kë kishte takuar. Ai donte t’i mbyste edhe këta,e sidomos Shpendin, i cili e kundërshtoi kur e pa se çfarë mizorish u bënte njerëzve. Por katër shokët e kapën dhe e mbytën Gjin Xhelatin dhe e shkatërruan strofullin e tij. Kështu, fshati shpëtoi nga Xhelati dhe shërbëtorët e tij, kurse fshatarët i kërkonin trimat që e kishin zhdukur Xhelatin, por ata ishin tretur në rrugë…
Mrika e vogël, e përlotur, u tregoi katër trimave ngjarjen e tmerrshme- se e gjithë krahina jetonte prej ujit që buronte rrëzë një mali pak më larg. Pa atë ujë, do të vdiste çdo gjallesë, do të thahej çdo bimë. Por, atje jetonte një Kulçedër, që e ndalte ujin derisa fshatarët t’ia sillnin një fëmijë për ta ngrënë. Çdo ditë kishin vepruar ashtu e sot i kishte ardhur radha Mrikës së vogël dhe ajo tash, e tmerruar, e priste Kulçedrën. Shpendi me shokë u përgatitën dhe, kur doli kulçedra, ai që i ndizte flakë shkambijtë, ia lëshon hukamët e tij të zjarrta-huuu! dhe, për sa çel e mëshel sytë, ta banë hi e shpuzë Kulçedrën. Mrika e vogël shpëtoi, dhe aty e mbrapa ajo krahinë nisi me u shtue e me jetue në lumni.
Pas një udhëtimi të gjatë, katër shokët hasën në një qytet të çuditshëm me pallate të rralla e të mrekullueshme për zotërinj, e shumë kasolla të mbuluara me kashtë për njerëz të përvuajtur, të cilët po vajtonin në skamje. Zotërinjtë ushqeheshin sa s’bën më mirë dhe ishin të veshur për bukuri, kurse të tjerët shkonin zhangla-zhangla, të verdhë nga sëmundjet e ndryshme të shkaktuara nga uria. Zotërinjtë kishin gjithçka, kurse të varfrit s’kishin as bukë për të ngrënë! Të katër shokët shihnin qindra robër të zdeshur duke bartur gurë të mëdhenj për t’u ndërtuar pallate të reja zotërinjve. Shihnin lypës, këngëtarë lëmoshe, njerëz që kishin humbur këmbë e duar…E Shpendi, i prekur shumë, u jepte gati të gjithëve gurë të çmueshëm, që kishte me vete. Robërit u çuan në kryengritje. Filloi përleshja e madhe. Zotërinjtë nisën të hakmerren në mënyrën më të përgjakshme, i dënonin tmerrësisht robërit. Shpendi u jepte krah robërve, prandaj zotërinjtë donin ta zhduknin edhe atë. Tre shokët e tjerë e shtrënguan zemrën dhe i sulmuan zotërinjtë. Ai që luante me bjeshkë, e kapi njërin nga xhelatët dhe e gjuajti larg e larg. Ai që i ndizte shkëmbinjtë, lëshoi hukamat e zjarrin dhe të gjitha kështjellat e pallatet u dogjën flakë. Më në fund-në qytet dëgjohet kënga e fitores. Robërit lirohen e shokët e çuditshëm me Shpendin në krye e vazhdojnë rrugën.
Shpendi është gjithnjë bamirës. Fëmijët e zënë Zogun këngëtar dhe duan ta fusin në kafaz. Shpendi i bind ta lirojnë, e pasi Zogu ia jep këngës mbi një pip thane, Shpendi, i gëzuar, u jep fëmijëve nga një cirilak. Herën tjetër-Shpendi has në disa fëmijë, të cilët kishin zënë një këlysh të zi bushtre dhe e hidhnin e përplasnin për gjiri. Po ashtu disa fëmijë të tjerë i mundonin këlyshët: Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin dhe Shpendi i shpëton dhe i merr me vete, kurse fëmijëve u jep cirilaka…
Kur kthehet në Grykën e Pishtahut, Ugurzeza e pret Shpendin me fjalë të rënda e sharje-sidomos kur ia sheh këlyshët, të cilët i ndjek me lograca, u bën zullum dhe një ditë i mbyll në kthinë me shtatë dryna.
Shpendi tash i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjet dhe Ujku Delengrënës priste që ta bënte të veten. Ai erdhi në pyll, ku Shpendi i ruante delet dhe i tregoi me kënaqësi gjakpirësi se e priste tërë jetën nga ajo ditë kur e kishte marrë nga Bardheci. Shpendi, kur e merr vesh këtë, e mashtron Ujkun dhe ngjitet në majë të një lisi. I thërret qentë Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin dhe ata i thejnë të shtatë drynat dhe Ujkun Delengrënës e bëjnë copa-copa. Mandej Shpendi ia tregon ngjarjen Gogës, por edhe kjo përpiqet ta helmojë dhe ta vrasë me dhëmbin helmues të Ujkut, të cilin ia futë nën shtrojë. Shpendi vdes dhe ajo e varros. Qentë besnikë ia gjejnë varrin. Por –si ta shëronin? Dëgjojnë britmën e një korbi: Me gjakun tim mundet me u ngjallë ai i vorruemi! Trumoshi ia ngjet me shpejtësi si të erës, ia heq kokën dhe me gjakun e njomë e stërpik varrin e Shpendit, i cili ngjallet dhe drejtohet shpejt tek Ugurzeza. Prej së keqes vjen e keqja- i bërtet dhe e lyen me rrëshirë të pishës e ia fut flakën. Ugurzeza bëhet thëngjill. Mandej Shpendi shkon dhe i then drynat e odave të Ugurzezës dhe hyn për t’i parë zhbindat, për të cilët ajo fliste gjithnjë. Por çka të shihte! Nuk ishin zhbinda, por shumë gurë të çmueshëm. Sheh sa koprrace e ndytë kishte qenë Ugurzeza. I djeg të gjitha ato sende të hatashme të qilarit, mbush tarrçukun me një palë duq plot me gurë të çmueshëm dhe, bashkë me Galoshin, Bardhoshin e Trumoshin, niset për në Arrnjet, ku e presin me gëzim të madh nëna, babai, motrat dhe farefisi.
Megjithatë, siç e pamë edhe nga përmbajtja, ngjarja nis të qarkullojë nëpër binarët realë; katundi e ka emrin e vet Arrnjet, reale është edhe familja e Bardhecit dhe e Ajkunës, që kishin shtatë vajza e asnjë djalë; ëndrra e vetme e të shtatë motrave për të pasur një vëlla është e natyrshme; motrat çdo ditë kryejnë punët e ndryshme të shtëpisë, kurse Bardheci, babai i tyre për çdo mëngjes i lëshon delet në mal; ngjarja sikur shkëputet nga bota reale, atëherë kur Bardheci ia dërgon Ujkut Delengrënës djalin e tij të vetëm që i lind, vetëm e vetëm për ta mbajtur fjalën e tij të burrit. Dhe atëherë sikur mbizotërojnë elementet fantastike. Aktivizohen gjallesat e pyllit. Në momente duket sikur dominon forca e fatiti. Veprimi bëhet dramatik. Ujku Delengrënës ia çon Shpendin-foshnje Plakës Ugurzezë, e cila në roman po ashtu do të mbetet gjer në fund simbol i tmerrit, i egërsisë, i dinakërisë, simbol i shpiritit të keq. Shpendi mbetet në mëshirën e saj.
Mirëpo Rexhep Hoxha do të vëjë shpejt njëfarë simetrie në karakteret e personazheve të romanit të vet. Ai do të përpiqet t´i balansojë tiparet pozitive dhe negative të tyre. Madje, e sheh të udhës t´i glorifikojë edhe të mirat e jetës dhe të natyrës; Shpendi nuk do të mbetet gjatë i vetmuar. Atij do t´i ndihmojnë e do t´i bëjnë shoqëri një varg qeniesh njomake: Bishtkuqja Xinxare, Erëmira-nëna e pyllit, Sqepkuqi etj, Kundruall tyre, do ta mbajnë gjallë ndjenjën e rrezikut: Ujku Delengrënës, Plala Ugurzezë, Bolla, Kulçedra, Gjin Xhelati etj. Dhe pikërisht, atëherë kur duket se ngjarja është larguar mjaft nga realiteti, Shpendi një ditë takohet me barinjtë e fshatit dhe veprimi përsëri materializohet, kristalizohet ideja dhe ndërlidhet sërish me njerëzit. Midis elementeve reale dhe atyre fantastike në Lugjet e verdha megjithatë ekziston njëfarë drejtpeshimi dhe që të dyja këto janë manifestuar aq sa i duhet përrallës. Shkrimtari, edhe pse në realitet ka krijuar një roman, ai në të nuk ka pretenduar në asnjë çast t´i shmanget indit përrallor, që veprën e tij e përshkon tej e për tej. Veprimi në të herë merr ngjyrë fantastike, herë merr nuanca reale, dhe ky alternacion do të vazhdojë gjer në fund të romanit, kur pas shumë aventurash e peripecish, Shpendi kthehet përsëri në gjiun e tij familjar
II
Duke mos pasur ndonjë traditë më të lashtë, në romanin tonë për fëmijë, nganjëherë janë manifestuar edhe elemente eksperimentale, dhe në përgjithësi, mund të thuhet se veçoritë stilistike në të janë reflektuar si për kah fuqia, ashtu edhe për kah kreacioni, në një reliev mjaft relativ me shumë ngritje e zbritje. Nga ky aspekt, shkrimtarët tanë me aftësi dhe shije individuale, në veprat e tyre janë prezantuar po ashtu me nivele të ndryshme artistike, dhe kjo vërehet duke filluar madje nga vetë titujt, nga mënyra e shprehjes, nga kreacioni figuracional e gjer te forma definitive e kondensuar në një tërësi më të rrumbullakësuar.
Titulli nuk është vetëm përfaqësues i përmbajtjes së një vepre letrare. Ai, në qoftë se shpreh besnikërisht ngjyrat tematike, do të jetë njëherit edhe insert i nuancave stilistike të një përmbajtjeje të caktuar. Në letërsinë për fëmijë titulli paraqet një element shumë të rëndësishëm të veprës letrare, pa marrë parasysh se a është roman, dramë, tregim, novelë, poemë apo edhe një vjershë e vetme. Ai do të jetë përherë kontakti i parë i lexuesit me veprën, prandaj pikërisht për këtë arsye ai duhet të jetë sa më impresiv, sa më interesant, sa më intensiv e më i jashtëzakonshëm, tërheqës dhe enigmatik, në mënyrë që midis një tërësie artistike dhe lexuesit të saj, të vëhen lidhje të forta të natyrës magnetike, por kurrsesi të tradhëtohet niveli ideo-artistik i vetë përmbajtjes, e cila përfaqësohet.
Lugjet e verdha është titull i romanit të Rexhep Hoxhës, i cili në përmbajtje ka njëfarë atmosfere ekzotike, që do të jetë prezente edhe në brendësinë e veprës, dhe si i tillë ky titull të rikujton diçka përrallore dhe poetike.
Pasi veprimin e shtjellon kryesisht në formë të strukturës lineare, narraciioni i tij potencohet më tepër dhe ka shumë ngjasime me mënyrën e rrëfimit të Rexhep Hoxhës në Lugjet e verdha, i cili duke shtjelluar një përrallë më të gjatë në veprën e vet, në pikëpamje të stilit nuk sjell ndonjë risi, por kryesisht mbetet në trajta të jostilizuara të shprehjes dhe të rrëfimit. Kjo nuk do të thotë se Lugjet e verdha nuk është vepër e pasur me lememente tjera dekorative, si janë: krahasimi, metafora, simboli, alegoria, përshkrimet e bukura të natyrës etj., mirëpo as këto nuk bëjnë ndonjë efekt më të madh në tejkalimin e mënyrës tregimtare të përrallës popullore që manifestohet në romanin e Rexhep Hoxhës.
Mundësia e përdorimit të tropeve është mjaft e kufizuar në letërsinë për fëmijë, në përgjithësi. Kjo ngjet për arsye se fëmijët kanë një nivel po ashtu të kufizuar intelektual, që përherë është në lartësim e sipër. Megjithatë tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë, ia kanë pastruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në tërësi krijuan figuracione të ndryshme, të cilat jo vetëm që i nxisin fëmijët t’i gjurmojnë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla.
Krahasimin e kanë praktikuar pothuaj të gjithë krijuesit tanë për fëmijë, e po ashtu edhe Rexhep Hoxha në romanin Lugjet e verdha. Duke pasur parasysh se vepra u është dedikuar fëmijëve, shkrimtari ka ditur që krahasimet t’i ndërtojë në pajtim me natyrën fëmijërore. Nga ky aspekt, në shumicën e rasteve, ose objekti i krahasimit, ose edhe ai me të cilin krahasohet, ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me botën e fëmijëve, ose me fenomene të përafërta për ta. Në romanin Lugjet e verdha shembuj të tillë ka mjaft. Të përmendim njërin prej tyre:
Mirëpo, kishte kambët e lehta e të shpejta, si t’erës, si t’erës.
Krahasimi gjithmonë në letërsinë tonë për fëmijë ka patur për qëllim ta freskojë përmbajtjen, ta konkretizojë më mirë një tërësi kuptimore të caktuar, ta rifreskojë relievin e veprimit dhe të krijojë relacione atraktive midis karaktereve në sfere më të gjera të jetës. Prandaj, shkrimtarët tanë kanë zgjedhur me pedantëri e durim të madh objektin me të cilin kanë krahasuar një objekt tjetër, në mënyrë që edhe vetë krahasimi të jetë sa më i qëlluar, sa më i natyrshëm, sa më i përshtatshëm, dhe si i tillë sa më funksional dhe objektiv.
Edhe metafora, po ashtu zë një vend me rëndësi në strukturën stilistike të romanit tonë për fëmijë, e po ashtu edhe në romanin Lugjet e verdha të shkrimtarit Rexhep Hoxha dhe manifestohet pothuajse në të gjitha trajtat e mundshme të saj; fromat kryesore të saj në këtë roman janë: metafora emër, metafora frazë e rrallë haset metafora folje. Në Lugjet e verdha shkrimtari me mjeshtëri ka përdorur metafora të huazuara nga thesari burimor i popullit tonë, p.sh,:
Nji ditë prej ditësh, Shpendi ban zemrën guri…
Nga tropet që lajmërohen më shpesh në letërsinë tonë për fëmijë është edhe hiperbola. Funksioni i saj ndikon që te fëmijët të zgjojë fantazinë, dhe duke zmadhuar objekte e stërzmadhuar dimensione ambientale e kohore, hiperbola kultivon te të vegjlit dashurinë për për veprat letrare si dhe interesimin për të njohur edhe elementet fantastike të jetës. Prandaj në letërsinë tonë për fëmijë, si edhe në letërsinë e rritur, shumë herë përdoret p.sh., numri shtatë, që në realiet është huazuar nga thesari burimor i popullit tonë, konkretisht nga lloji i përrallës. Ja, p.sh., si e ndërton Rexhep Hoxha një figurë të tillë në Lugjet e verdha:
Nji livadh shtatë vjet nuk kishin pas guxue katundarët me e kositë prej nji bolle.
Hiperbola kryesisht vjen në shprehje për t’u përdorur në romanet tona për fëmijë, që kanë natyrë përrallore apo fantastike. E i tillë prej fillimit gjer në fund është edhe romani Lugjet e verdha. Aty, madje hiperbolizohet edhe vetë fati jetësor i Shpendit.
Prezenca e botës shtazore në romanin tonë për fëmijë vetvetiu ka paraqitur nevojën që zërat e ndryshme të gjallesave të shprehen në një mënyrë të posaçme. Pikërisht për këtë, shkrimtarëve tanë u ka dalur në ndihmë një figurë e bukur stilistike, onomatopeja, të cilën fëmijët e duan dhe e përjetojnë në mënyrë të veçantë. Tingujt që lëshon natyra janë të ndryshëm, kurse në romanin tonë shohim përpjekjen serioze të shkrimtarëve, që ata tinguj të interpretohen përmes gjuhës së njeriut, p.sh,:
Sa fjalë flet Shpendi, shpezët:
-çak, çak, çak!- me sqepa,
-Rrap, rrap, rrap!- me krahë
E këso fjalësh onomatopeike në romanin tonë për fëmijë ka plot.
Ato janë tendencë që kafshët t´u afrohen fëmijëve pa trembje. Janë përpjekje e ndërlidhjes komunikative të fëmijëve me fenomenet e ndryshme të jetës. Atëherë tingujve u jipet domethënia, të cilën fëmijët do ta kuptojnë e përjetojnë në mënyrën e tyre.
Jo rrallë përmes fjalësh e shprehjesh onomatopeike edhe fëmijët do t’u drejtohen gjallesave, duke dëshiruar ta kultivojnë dashurinë në to, ta ruajnë nxehtësinë e miqësisë dhe ta shkurtojnë distancën që ekziston midis të vegjëlve e gjallesave.
Onomatopeja në romanin tonë përfaqëson një mënyrë të përshtatshme të bisedimit real ose imagjinativ midis nuancave të ndryshme jetësore të planetit tonë. Ajo efektivizon në afrimin e ndjenjave të sinqerta dhe në krijimin e tërësive humane brenda botës shpirtërore të fëmijëve dhe të ndonjë pjesëtari të faunës.
Përgjithësisht, tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë për fëmijë, ia kanë pasuruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në tërësi kultivuan figuracione të natyrshme, të cilat jo vetëm që e nxisin fëmijën t’i gjurmojë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla.
III
Siç u pa, në romanin Lugjet e verdha ngjarjet janë lidhur bukur mirë në një tërësi harmonike e vepra është mbështetur në fantastikën e përngjashme me arë të letërsisë gojore. Kjo imponon konkludimin se ky roman është vepër e pjekur artistike. Shkrimtari me këtë vepër ka treguar se letërsia për fëmijë është fushë shumë e pasur për punë serioze artistike. Kjo është meritë e madhe. Mandej shkrimtari ka patur plot sukses në të zbriturit e ngadalshëm e metodik në nivelin psikologjik dhe në aftësitë intelektuale të fëmijëve. Indi pedagogjik ekziston që prej fillimit dhe është thurur në mënyrë fare të paimponueshme. Edhe në pikëpamje psikologjike, edhe në atë pedagogjike, vepra ka një funksion të caktuar dhe një dinamikë të këndshme dhe të pandërprerë. Shumë gjëra që janë thënë, luajnë rolin e nxitjes së virtyteve dhe të cilësive fisnike të fëmijëve.
Gjuha është e rrjedhshme dhe ndihmon shumë për ta shijuar edhe më mirë atmosferën e një ambienti bukolik në një të treguar të gjallë dhe interesant. Kompozicioni i veprës ësht[ bërë me mjeshtëri dhe ngjarja udhëhiqet deri në fund me dinamizëm të nivelizuar.
Studiuesja dhe profesoresha e Letërsisë për fëmijë dhe të rinj, Dr. Qibrije Demiri-Frangu (Dije Frangu) konstaton me të drejtë se Rexhep Hoxha është njëri prej autorëve që ka shfrytëzuar shumë mundësi të eksplorimit të letërsisë gojore, të jetës tradicionale të familjes sonë, të cilat ndjehen fuqishëm ,krahas subjektit, strukturës, diskursit rrëfimor, emërtimeve të personazheve e të vendbanimeve edhe në romanin Lugjet e verdha.
Meritë e madhe e shkrimtarit është edhe fakti se ai ka gjetur (krijuar) aq shumë emra të bukur për shpendët, për shtazët e gjallesat e tjera. Sa bukur i përgjigjet emri sundimtarit të ashpër-Ballhutës. I bukur është edhe emri i fshatit Arrnjet. Fare adekuat është emri i protagonistit kryesor- Shpendit. Po kështu ngjan edhe me emrat e tjerë të njerëzve: Bardheci, Ajkuna, Drita, Nusha, Kumria, Bjeshka etj. Shumë i shëmtuar është emri i Plakës Ugurzezë, i Ujkut Delengrënës, i Bollës, i Kuledrës, i Gjin Xhelatit etj.
Shumë të tingëllueshëm e simpatikë janë emrat e shpendëve: Bishtkuqe, Xinxare, Natare, nëna e pyllit-Erëmira, Havakushja, Sqepkuqi etj. Ariu është-Ari Shputa, sepse është simpatik në veprimet që bën; hoxha-Hoxhë Llapatani, sepse shkruan hajmali dhe gënjen njerëzit, ndërsa kur sëmuret, nuk shkruan hajmali për vete. Edhe për krahinat e ndryshme autori ka gjetur emra të përshtatshëm: Lugjet e Verdha, Rrahu i Thatë, Frashnjeti, Prozhma e Gjelbër, Gryka e Pishtahut etj.
Të gjitha këto janë prodhim i në fantazie të bujshme dhe pajtohen fare me titujt e njomë të poezisë me të cilën është e përshkuar tërë vepra Lugjet e verdha.
LITERATURA:

  1. Astrit Bishqemi, Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë, Sejko, Elbasan 2001;
  2. Astrit Bishqemi, Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Sejko, Elbasan 2004;
  3. Anton Berisha, Çështje të letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë 1982
  4. Agim Deva, Romani ynë për fëmijë, Rilindja, Prishtinë, 1977;
  5. Hasan Mekuli, Romani shqiptar, kritika e vështrime, Libri shkollor, Prishtinë,2000;
  6. Qibrije Demiri-Frangu, Letërsia për fëmijë, Rozafa, Prishtinë, 2011
  7. Rexhep Hoxha, Lugjet e verdha, Rilindja, Prishtinë 1972