VETËM ËNDËRR, TË MOS ISH


Petro Sota

VETËM ËNDËRR, TË MOS ISH.
——————————————-

Kur t’shoh ty, e harroj një çast,
At’ pikëllim, që shpirti ka marrë,
Se s’dua të humb, asnjë rast,
Për buzën tënde, djegur e tharë.

Kur m’hapet plagë në kraharor,
Sa shumë shpirti mua më dhëmb,
S’po e mas kohën, më me orë,
Por, me qerpikët e syrit tënd,

Në rrugët e jetës, nëpër shqote,
Kur dimërat vijnë, sjellin stuhi,
Më del si n’ëndërr, fytyra e jote,
Me zërin tënd, gjithë ëmbëlsi.

Dhe s’më tremb, asnjë rrebesh,
Shpejt harroj, unë çdo brengë,
Se buza jote, kur më buzëqesh,
Më hyn në shpirt, si një këngë.

Si një këngë, por dhe pasion,
Ma rrëmben, shpirtin e shkretë,
Si nëpër dallgë, ti ma trazon,
Dhe si ëngjëll, më vjen vetë.

Se janë çaste, kur shpirti noton,
Nëpër ëndrra, gjumin ma prish,
Më mban peng dhe s’më lëshon,
Ah,,, vetëm ëndërr, të mos ish.!

About Post Author