Vetëm ëndrra-Mimoza Maria Ajdhoni


Vetëm ëndrra

U hodha dhe sot nga gjumi përpjetë,

nga një ëndërr me djersë mbuluar,

përreth shoh me sytë gjysmë të mbyllur,

nga pesha e saj e hutuar.

Asnjë rreze dielli nuk duket,

vetëm pika shiu si lotë,

që aviten pranë meje gjithë mllef,

sende të njohura kërkoj, por më kot.

Vetëm ëndrra është aty,

herë duke u dredhur, herë e qetësuar,

asgjë nuk ngjan si më parë,

në hapësirën që duket e zvogëluar.

Veshët e mi disa këngë zogjsh,

kapur pas degëve të thata dëgjojnë,

si sytë e mi larguar nga buzëqeshja,

kur disa pjesë nga kuptimi i jetës më mungojnë.

( Shkëputur nga libri “Labirint”, poezi, SH.B. MUZGU, 2023)