(Sot, 10.09.2023, Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes ).

Boris Miska
Prej disa ditësh mediat ishin okupuar nga lajmet tronditëse të disa akteve vetëflijuese të cilat u bënë edhe më shqetësuese kur sheh përfshirjen në to të moshave fare të njoma.
Vendi ynë nuk figuron në hartën e atyre popujve që e kanë të lartë kurbën e vetëvrasjeve. Bile mund të themi se ndodhemi në zonën lindore të Mesdheut e cila është me tregues të ulet të dukurive të tilla.
Kjo ka shkaqet e veta, natyrisht jo gjeografike.
Në kodet zakonore shqiptare vetëvrasja ka qënë një gjë e keqe, akt i dënueshem, është quajtur edhe paburrëri. Ndërsa vetëflijimin e kam të vështirë ta gjej në historinë e besimeve tonë.
Për ne si popull perënditë janë të përjetshme, ndërsa njeriu si pjellë e tyre është tërësisht i vdekshëm. Kjo ka bërë që vdekja si fenomen natyror të shihet si dramë e rëndë e cila shoqërohet me rite tepër të veçanta, që rrallë i gjejmë tek popujt e tjerë.
Baladat e ardhura deri në ditët tona, siç është ajo e motrave Rozafa, tregojnë më së miri se jeta për shqiptarët është diçka e shtrenjtë dhe s’mund të jepet për gjëra pa kuptim.
Ajo është dhuruar për qëllime jetike si; për tokën, ujin, bukën, shtëpinë, por në asnjë rast nuk u është falur absurditeteve të predikuara prej sekteve fetare jo shqiptare.
Le te kthehemi tek fenomeni në fjalë. Ndodhin vetëvrasje.
Gjendje apo rrethana të ndryshme stresuese i çojnë njerëzit drejtë një rreziku në rritje për të dëmtuar jetën e tyre. Ka shumë faktorë ndër të cilat do të spikasja dhunën si trysni e ushtruar nga shumë drejtime e në disa forma.
Varfëria, papunësia, humbja e njerëzve të afërm, grindjet mes familjarëve, përfundimi i një mardhënie martesore apo dashurie, probleme ligjore që lidhen me punën e përditshme etj.
Probleme të tilla janë të zakonshme, por vetëm pak njerëz priren drejtë zgjidhjeve fatale për jetën e tyre. Ato mund t’i ndodhin dikujt që është i predispozuar, ose atij që është veçanërisht delikat për t’u vetëdemtuar.
Problemet psikiatrike si; depresioni apo çrregullimet e tjera mendore, të qenurit i pashpresë, s’ka se si të mos kenë rol në këtë drejtim.
Para një dukurie të tillë si familja ashtu edhe shoqëria në tërësi nuk ka se si të mos ndërhyjë.
Në këtë periudhë tejkaluese po ndërthuren vështirësitë e jetesës me ato të komunikimit midis njerëzve. Nuk është e rastit që dukuri të kësaj natyre kërcënojnë moshat e reja, që nga adoleshenca e hershme e deri tek të rinjtë e moshave 20-25 vjeçare. Lehtësisht diagnestikohet se defektin kryesor e kemi tek komunikimi, sidomos ai mes brezave.
Individë e grupe shoqërore përballen sot me dhumën e cila ushtron presione të vazhdueshme me pasoja e trauma të ndryshme.
Disa faktorë që mesaduket i mbrojnë njerëzit nga ndjenja apo aktet e vetëvrasjes mungojnë në mjedisin tonë shoqëror.
Siç janë; vetvlerësimi i lartë, lidhjet e shumta shoqërore, mardhëniet e qëndrueshme bashkëshortore, besimi fetar, rrëfimi si nevojë e zbrazjes shpirtërore etj.
Vetëdëmtimet dhe vetëvrasjet janë fenomene që futen në atë që rëndom quhet dhunë, pavarsisht se nga ç’kahje vjen ajo.
Dhunë është jo vetëm fizikja, por edhe ajo shpirtërore.
Të dhunon si një mesues i keq, ashtu edhe një nepunës i paedukuar, i korruptuar.
Të vret në shpirt edhe një prind që nuk i dallon dot shfaqjet e para të adoleshencës dhe mundohet t’i zgjidh ato dhunshëm.
Të fyen edhe një fjalë e pamatur, apo përdorim i keq i postit.
Tronditesh edhe prej një titulli gazete të sajuar keq e pa profesionalizëm.
Populli thotë; fjala e mirë të shëron, ashtu si edhe ajo e keqe të vret.
Po t’i verejmë me gjakftohtësi ndodhitë e fundme del në pah një dukuri e re, ajo që në gjuhën e psikologeve quhet ‘sindroma e imitimit’.
Impakti potencial i mediave në pasqyrimin e vetëvrasjeve është njohur prej një periudhe të gjatë kohe. Teknologjia elektronike tashmë e ka disafishuar këtë ndikim.
Më shumë se dy shekuj më parë një novelë tepër e lexueshme inspiroi një valë imitimesh vetvrasjesh. ‘’Vuajtjet e djaloshit Verter’’ e shkruar nga Gëte në 1774-ën dhe e bazuar në një histori reale, përshkruan shqetesimet e djaloshit dhe vuajtjet e tij nga dashuria e pamundur me Lottën. Efekti i librit tek lexuesit moshatar me djaloshin Verter ishte tepër i madh. Novela shoqëroi jo vetëm emocione por edhe vetëdëmtime të imituara deri në veshjet e djaloshit Verter.
Vëzhgimet e sotme sugjerojnë se efekti i dhënies së lajmit nga media ndikon në inkurajimin e vetëvrasjeve kryesisht nga mënyra se si serviret ai.
Shqetësimi është tek vulgarizimet ekstreme në raportimin e vetëvrasjve në të cilat fenomeni shihet si një dukuri normale dhe e pranueshme për t’u larguar nga një botë e vështirë. Logjika të shpie tek ajo që në gjuhën profesionale quhet ‘etika e lajmit’, ose ‘etika e gazetarit’.
Si lexues ndjehesh keq para lajmeve të tilla që lëshohen në erë pa gjykuar se si priten nga grupet shoqerore, apo më drejtëperdrejtë nga moshatarët e atyre që humbën jetën.
Tek individët që kanë tentuar të kryejnë një herë aktin e vetëvrasjes (është vërtetuar se ka një rrritje të ndjeshme të mungesës së dëshirës për të jetuar tek keta të fundit) këto lloj lajmesh të detajuara, të stisura deri në hollësi sipas modelit të thashethemeve, pa as më të voglin dyshim u afrojnë këtyre individeve në depresion alternativa të gatëshme per të vrarë jetën.
A nuk të trondisin tituj të tillë bombastik si:‘’Vetëvritet me fostoksinë 14 vjeçari’’, ose ‘’ ..gjysëm kokërr fostoksinë i merr jetën 14 vjeçarit’’, ‘’vetëvaret në banjë me peshqir’’ etj etj.
Femijë të intervistuar pas ngjarjeve të tilla apo kronikat që i pasojnë ato, shprehen se; ‘’ u ndjeva bosh dhe e trishtuar..’’ , ‘’ mendova për një çast se mund të isha edhe unë’’.
Në ngjarjet e fundit shohim një lloj imitimi. Asnjëherë nuk janë të rastit mjetet, mosha dhe seksi në vetëvrasjet e fundit.
‘’Shumë njerëz të cilët jetojnë çdo ditë me dhunën, shkruan Mandela, hamendësojnë se ajo është një pjesë e brendshme e gjendjes njerëzore.
Por nuk është kështu. Kultura e dhunës mund të përmbyset… Qeveritë, bashkësitë dhe individët mund të sjellin një ndryshim’’.