Vetmi e zbehur-Majlinda Pajaj


Majlinda Pajaj

E mbusha gotën, ja dhe një tjetër,

të flas me ty cigaren ndez

kjo natë e heshtur si kartë e vjetër

paloset lehtë, në fund një shpresë.

Vetmi e zbehur trupi më dridhet,

kërkoj me erën të vij tek ti,

tymi cigares mjergull më mblidhet,

pëlhurë e bardhë, veshur më rri.

Kërkoj unë puthjen, kollën e thatë,

ëndrra, imazhi në shpirt s’më fle,

vetmia dimër, ftohtësi kjo natë,

ti, dielli im, i fshehur ku je?!