Klara Shehu

Ese poetike
Vetmia nuk troket në derë.
Ajo hyn zbathur, pa këpucë pa shapka, kur dritat fiken dhe mendimet të bëhen të zhurmshme.
Vetmia është zëri që të kthehet si jehonë, është prania që të mungon.
Ajo me heshtje e saj të mëson të dëgjosh atë që nuk thuhet.
Vetmia është mall, është pasqyrë e shpirtit që kërkon…
Ajo nuk është boshllëk. Ajo është një dhomë e mbushur me hije, ku çdo hap tingëllon si pyetje pa përgjigje.
Vetmia është zëri i heshtjes që flet më shumë se çdo fjalë.
Ajo të ndodhet pranë kur të gjithë largohen.
Vetmia është dritë e zbehtë në një mbrëmje pa yje, kur shpirti kërkon duar që nuk janë.
Në vetmi, mësohet të dëgjosh veten.
Vetmia të mëson të qash pa lot, të flasësh pa zë, të duash pa pasur dikë.
Ajo të ftoh, por s’të vret. Të mban gjallë, por jo plot.
Vetminë dikur e urren, por ndonjëherë e kupton.
Në vetmi, njeriu është krejtësisht njeri pa maska, pa roje, pa pritje.
Në vetmi je ti dhe vetmia, që ndodhet brenda teje.
Vetmia të njeh më mirë se të gjithë.
Ajo nuk kërkon të hapësh derën, ajo banon me ty.
Vetmia është fryma që merr kur askush nuk të flet, është krevati bosh ku askush nuk të pret.
Vetmia të mbulon me heshtje,
dhe dridhesh si fëmijë pa përqafim.
Ajo të bën të qash pa zë, por të bën të vuash në qetësi.
Dhe kur të pyesin: “A je mirë?”
Ti përgjigjesh duke buzëqeshur, sepse vetmia të mëson të dukesh e fortë kur je thyer, je dërmuar, je e shkatëruar.
Vetmia të gjen e të ulet pranë si një mikeshë që s’të do të keqen, por s’të ngroh dot.
Vetmia të mëson të heshtësh, të dëgjosh rrahjet e zemrës kur askush nuk troket.
Ajo të plagos me mungesë, por plagët të rritin forcën.
Edhe nata më e zezë, mban brenda saj agimin.
Ndaj dhe vetmia të mëson se një ditë, dikush do të vijë.
Ndaj prit o njeri, prit duke shpresur.
Një ditë do agoj edhe për ty.
Klara. 18 korrik 2025.