Vetmisë…Cikël me poezi-Nga Panajot Boli



Cikël me poezi
Nga Panajot Boli

Kjo Lumturi e pakët…

Një sy që po buron mall, liqenin e shtëron
Dashuria e plagosur,si vjeshtë që përendon.

Një shpirt që po vyshket, si verë e zhuritur
Shpresa si një rakitike,buzëqeshje e mbytur.

Një agim i mjegulltë, dritare që rri mbyllur
Rrugëtimi i lodhur, me një këmbë ndrydhur

Edrra seç po zvarritet , mes hirit pëeveluar
Kjo lumturi e pakët, në portin tend e ankoruar

MË ERDHI NJË RE E BARDHË

Atë renë e bardhë si top debore
Qe prapa malit më kërkon me sy
S’prita, vrapova pllajës ta takoj
E di, zemër, e di, ma ke nisur ti.

Zgjas duart edhe e marr në gji
Ajo e etur me buzë më puth sytë
Pastaj më hedh ca pika mbi faqe
E më thotë se ato janë malli yt

VJEN MBREMJA NË SARANDË

Flladet i shpushpurisin kaçurrelat Sarandës
Kur dielli me padurim
Kërkon të zhytet terë gaz si fëmijë
Në gji të Jonit.

Me sy endërrues mbi kaltërsinë e medafshtë
Kthen filxhanët e kafesë
Dhe pret Neraidat
T’i thonë fatin

Deti nuk pret
Ndez dritat e ylberit
Të kercejnë ato
Në skenën blu

Nga mali zbret kali magjik
Me parajsën ngarkuar.

Tani Saranda ime e lumtur
Në rrugët e përrallës së Bukurës së Dheut
Si hyjneshë shetit.

NE TË DY…

Në një cep të qiellit kruspull rri hëna sonte
Kërruset mbi melankolinë e saj
Me çehren e zbehtë pjepër
Të dhëmbsur shumë.

E përgjumur përkundet në krevatin e përhimtë
As ngushellimin e yjeve s’pranon
Si vesë ca lotë nga sytë
Rigojnë ngadalë

Eja tek unë në stolin e vjetër të oborrit tim
Ku gjethet e verdha më bëjnë serenatë
E macja më shikon me dhimbje
E më fërkon nëpër këmbë

Pra, eja hëna ime, rrimë bashkë në këtë stol
Dhimbjet të përqafohen butësisht
Tik-taket e natës të matim
Deri në të gdhirë

Sonte ne të dy
Ta gdhijmë
Në këtë stol të vjetër….

ERDHI E PËRMALLUAR ERA SONTE

E pashë tek zbriste nga mali i fshatit tim era
Nuk mbahej, me inat zvarriste ca re gërmuq
I fryu të fikte edhe dritën e henës së shkretë
Që dridhej në qiellin e mugët si kandil i kuq.

Erdhi këtë mbremje gushti kaq e përmalluar
Nervoze, me shushurima mbushur trishtime
Zogjtë i çoi me herët të flenë në foletë e tyre
Nuk ngopej me pemët,me puthje e përqafime

Kercëu si e marrë,nuk priti sa të vinte vjeshta
S’përmbahet sonte kjo erë, me dufe shperthen
E di,e mira ime,ajo jashtë dritarës tende po pret
Përqafoje,zemër, e mua ajo brengë po më bren

VETMISË

Ti vetëm më ngele besnike
Kur të gjithë më lanë
Gojëkyçura, syqelqta
Nuk më ankohesh
Nuk më bëzan

Të zbraz shpirtin në prehër
Dhe lotët nuk i fsheh
Të prehem në gji
Shyqyr të them
Që të kam ti