Viktoria Xhako: Mos m’i vrit arinjtë e bardhë


MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË
-Fragment-
Orë pas ore, sa më tepër e merrte veten, aq më e shqetësuar ndihej. Tani para saj rrinte Hydra e Lernos me gojët hapur të të dymbëdhjetë kokëve, Gita nuk ishte Herakliu, edhe pse metodën e djegies tashmë e kishte dëgjuar, ballafaqimi me fëmijët. Mbase gjithë botës mund t’ia tregonte atë histori, por para fëmijëve… Kjo Hydër e lemerishme duhej vrarë dhe ajo duhej ta merrte guximin, të paktën vetëm njëherë në jetën e saj. Zgjodhi ditën e premte, kur ata binin në shtrat më vonë. Pasi hanin vaktin, pinin diçka dhe, duke parë televizorin, flisnin. Nuk ishte e thjeshtë për Gitën. Ajo mori shtizat. Kishte thurur më shumë se gjysmën e një shalli leshi ngjyrë vishnje për vete. Nxori shtizën nga thyesat dhe nisi ta shqepte.
-Pse, trashaluqe? Pa shall e pa kapuç nuk mund të dalësh jashtë. Bie dëborë. –
-Tani erdhi rasti që të flas, – tha, e tronditur. I bëri shenjë Nenas se donte pak ujë, fytin e kishte të tharë. Duke nxjerrë nga goja copëza fjalësh, shthurte me forcë shallin e leshtë dhe fijen e lëshonte përdhe, të ngatërruar.
Abi u trondit dhe nuk po gjente vend për duart. I dridhej buza, iu skuqën sytë. Gita priste dhe vazhdonte të shthurte shallin.
-E dëgjove me veshët e tu, – i tha pastaj.
… Abi, vetëm për një çast e bëri nënën fajtore, se pse ajo nuk kishte folur herë pas here. Kjo pyetje ishte si të shkarkonte një peshë nga supet e veta. Po nuk kishte ku ta hidhte. Ata ishin lidhur nga i njëjti lak. Si do ta zgjidhnin? Dhe a do ta vlente zgjidhja, cilado që të ishte ajo? Shumë vështirë do ta kishin fëmijët që ta kuptonin jetën e nënës së tyre. Një dramë e re pritej të ndodhte tani në familje, drama me ta.
Ajo fliste dhe Abi me Nenan e dëgjonin me sytë, që u digjnin nga lotët. Ishte e pamundur ta kuptonin. Nuk e prekën me fjalë të pamenduara mirë në konceptet e saj për jetën. Po për një gjë ngulën këmbë të dy: mirë që jetoi kështu shumë vite gjersa fëmijët ishin të vegjël e të rinj. Po pse vazhdoi kështu kaq gjatë sidomos kur …? Konceptet për jetën edhe tek ajo duhej të ishin ndryshuar. Fëmijët heshtën, jo se e miratuan sjelljen e saj, po se e kuptuan që ajo nënë e butë nuk mund të vepronte ndryshe. Fjala e Gitës nuk ishte gjë tjetër përveç se një përçartje e njeriut me temperaturë shumë të lartë, që e ndien veten brenda një makthi të llahtarshëm. I la shtizat dhe me duart, që i dridheshin kapi dy duart e fëmijëve: Më fal, o biri im, i madhi i fëmijëve, i miri, i bukuri! Fale, o bir, trungun tim të vjetër… Çfarë po thua, má? …të brejtur nga milingonat, që po bëhet hi dhe era do ta shpërndajë… O má, qetësohu! Ajo fliste dhe kokët e Hydrës zhdukeshin një nga një. …Ti erdhe në jetë, kur ëndrrat e mia ishin akoma fëmijë, ti i ndriçove si një rreze e pafajshme, e shndritshme dhe e ngrohtë… Má, a pimë diçka? …ne ecëm së bashku përdore, dy embrione, që mundimshëm do ta preknim diellin… Zëri i butë dhe i bukur i Nenas nisi lehtë – lehtë “Que bonito”, të kujtohet, mamina? Po si s’më kujtohet, o trëndafili im i roztë? Nena gjysmë e shtrirë i mbështeti kokën në prehër, Abi erdhi nga kuzhina me tri gota me… Gita i përkëdheli flokët e verdhë të Nenas, mori gotën e saj, e la mbi tryezën e vogël para divanit, i mori dorën të birit duke e parë në sy. Sytë e tyre të skuqur nuk iu larguan njëri–tjetrit. Merre gotën, tha Abi, merre, Nena, gotën, hajde trashaluqe. Gita ndjeu se si nisën të rrëzoheshin me një tingull ngjethës me oshëtimë vdekjeje vargonjtë, që i kishin mbajtur lidhur. Gita fliste, zëri i ëmbël i Nenas këndonte këngë të pakënduara kurrë, nanuriste atë dhimbje me peshën e qiellit. Kaloi mesnata dhe ata të tre flisnin duke heshtur. Këto orë përbënë atë kohë, që ata nuk e kishin përjetuar ndonjëherë. Gita hodhi në dysheme shtizat bashkë me fijen e shqepur e të kthyer në gjarpër, e flaku tej si të donte të flakte këllirën, që i kishte ndyrë supet për kaq vjet. Në sytë e skuqur të fëmijëve, në dridhjen e duarve të tyre, Gita pa atë, që kishte parë gjithë jetën: tri skaje lidhur me një nyje të pazgjidhshme. Heshtja tha se lidhja mes të treve ishte çelikosur me saldatriçen e hidhërimit të përbashkët. Por fëmijëria dhe rinia e tyre ishin thyer në mijëra copa.
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
“MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” roman botuar në maj 2015 

About Post Author