Viktoria Xhako:Ma thuaj sekretin


Viktoria Xhako

Krejt e zakonshme, kjo xhaketë,
Prej stofi, kafe apo jeshil nuk e di,
Kutizat, mikroskopike, janë endur në të.
Asgjë të veçantë nuk i sheh.

Nuk dallon në mes të kalimtarëve,
E qepur mirë, pa rrudha, shtron bukur jaka, gjoksi,
Lëmohet tek beli, me dy kopsa.
Ç’gjë vëmendjen time e tërhoqi?

Ndofta pyetja jote: Mos ke ftohtë?
Ndofta dora jote mbi shpatullat e mia, dashurisht?
Ndofta: A do xhaketën time krahëve?
Ndofta fytyra jote mbështetur faqes sime pafajësisht?

Ndofta shkëlqimi i diellit nga dritaret e mëdha?
Ndofta bisht sytë e kamerierëve elegantë?
Ndofta pemëza e blertë, që me fërfërimën e gjetheve na pa?
Apo puthja e rrëmbyer, e shpejtë, e nxehtë në atë sallë?

Ndofta qafa ime, që u drodh kur e preku ajo?
Ndofta duart e mia kryq, që e mbajtën pa frymë?
Ndofta zemra, që rrahu e u përpëlit nën të?
Heshtja është e ftohtë, e vjetër, apo vesë, brymë?

Ma thuaj, i dashur, sekretin e xhaketës tënde atë ditë,
Lëmuar shpatullave të mia, kur më rigonin lumë sytë!

E mërkurë 2 korrik 2014 ora 15:00
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
“MONOLOGU I ENIGMËS” botuar në maj 2015

About Post Author


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.