Viktoria Xhako:Një puthje rrëzuar në asfalt…


Viktoria Xhako

Një puthje rrëzuar në asfalt,

Qullur shirash dhe erërash fshikulluar,

Shkelur nga të rënda këpucë, pa mëshirë,

Aromën e blirit kërkon përgjëruar.

Atij bliri, buzë trotuarit të ndarjes,

Ku kurrizin mbështeste nën gjelbërim,

Duart e nxehta i ndiente mbi supet e brishta,

Dhe ankthin e puthjes për një ritakim.

Tani, e vetmuar, tretet ajo puthje,

Buzë asfaltit, ku lulëzonte një bli,

Ajo puthje, përvëluar në asfaltin e nxehtë,

Me sytë e butë… kërkon përsëri…

Pak aromë nga i blerti bli.

E premte 19 gusht 2011 ora 22:15

Viktoria Xhako

(ZHORZH SAND)

“TAKOHEMI NË QIELL” botuar në maj 2012

About Post Author