Viktoria Xhako:Përshtypje


Viktoria Xhako

Përshtypje

Dashuria për muzikën erdhi tek unë atë mbasdite dhjetori të vitit 1956, kur babai u kthye nga puna me një kuti të madhe në dorë. Brenda saj ishte radioja “Orion”, e cila u bë pjesë e jetës së familjes dhe e fëmijërisë sime.

Pak vite më vonë, dy këngëtarët e mrekullueshëm Qemal Kërtusha i qytetit tim dhe Vaçe Zela u bënë idhujt e mi, duke më rritur në shpirt ëndrrën për t’u takuar ndonjëherë me ta, por pa e menduar se ç’vlerë do të kishte takimi…

Sot jam një grua e vjetër, që e shoh qartë derën ku do të hyj. Por njëkohësisht pashë të realizuar edhe ëndrrën time të vjetër…

“Mjeshtri i Madh”, këngëtari i qytetit tim, idhulli im, asistoi në ceremoninë e vjetshme të promovimit të dy librave të mi, po nuk pata kurajon ta ftoja për një kafe.

Prania e tij më 22 maj të këtij viti në ceremoninë e re të promovimit të librit tim të fundit, ma flaku tej ndrojtjen dhe…

-Nesër, në orën 11:00, në platformën, që ngrihet mbi katër shkallë, pranë stacionit të autobusit…–

-Po, nesër në atë orë, në atë vend.–

Nata ime e përzuri gjumin. Në këmbim të tij më solli cicërimën e degës së portokallit dhe dritën e florinjtë të hënës mbi xham. Po mëngjesi erdhi i nervozuar, ngarkuar me re të zeza. Vesha xhakaventon. Pikat e shiut u rënduan. U ngjita në autobus dhe zura vendin e parë në krah të shoferit. Xhami, si sy i madh shihte rrugën dhe lejonte që ta përshkonin çrregullisht rrëketë e shiut. Disa minuta më pas pikat e shiut u kthyen në guralecë duke goditur mbi xham. Një erë e marrë nën qiellin e zi nisi të tronditë pemët anës rrugës.

Unë, krejt e qetë vështroja në këtë verbëri. Celularin, si gjithnjë, e mbaja në dorë, por kot. Ne fiksuam vetëm vendin dhe orën e takimit.

Sapo kaluam Shkozetin, shiu pushoi, era e ndali vrapin e saj të çmendur, qielli u ndriçua pak nga dielli që gjithsesi ishte krejt i fshehur pas reve në ngjyrën e rërës. Arrij në vendin e takimit pesëmbëdhjetë minuta më parë. Kaluan pesë minuta. Këngëtari i madh, idhulli im, u duk. Ngrita dorën së bashku me celularin. Vazhdoi të ecte i qetë me sytë tek unë. Po nuk më pa. Befas ndali hapat, zgjati duart si në një përqafim dhe foli që larg. Nuk e dëgjova. Zbrita shkallët dhe e përqafova. Prit, tha. Gabim. Nuk duhej të vije kaq herët. Unë duhej të vija dhjetë minuta përpara dhe të të prisja. Më preku gjer në lot. “Mjeshtri i Madh” duhej të më priste mua dhjetë minuta!!!

Zgjidh lokalin, tha. Biseda nisi kaq e përzemërt sa unë mendova që ky takim nuk është i pari. Që ne jemi takuar edhe në të kaluarën. Që kemi biseduar dhe e njohim mirë njëri–tjetrin, jo si artist e fans, po si dy njerëz të mirë nga i njëjti qytet.

Të mbaj mend, më tha. Më foli për tri detaje që me të vërtetë përbënin atë që dikur mbante emrin tim. Ndërkohë që nisi të intonojë “……” Dhe pas çdo kujtimi vinte një intonim i hershëm.

-“Ne jemi tre”,- thashë. Pa mbaruar renditjen e vargjeve: Njëri nga ne është kompozitor/ Ai thur këngë e melodi/ Kurse tjetri është këngëtar/ Ooo, sa bukur këndon ai/ Me poetin ne bëhemi tre/ Miq të vjetër me moshë të re…./– këngëtari i madh ma mori fjalën dhe me zërin brilant më ktheu në kohët, që nuk përsëriten kurrë. Ngrohtësinë e bisedës e ndërpreu celulari i tij.

-Është gruaja,- tha dhe ma zgjati mua. Zëri entuziast nga ana tjetër po na priste për drekë. Këngëtari i madh më shpjegoi menunë… Ç’mrekulli, ç’dashamirësi, ç’mikpritje… si në kohët e vjetra. I shtuam menusë dëshirat tona, po të vjetra. Takimi ynë mori përmasa të reja. Jeni kureshtarë për menunë? Është sekreti ndërmjet zonjës së shtëpisë, këngëtarit të madh dhe meje!

Pastaj u ndamë. Unë me bindjen time të vendosur se nuk do të takohemi më, këngëtari i madh me besimin se do të takohemi përsëri e përsëri e përsëri! Takime të tilla ta zgjasin jetën. Ta zbukurojnë. Nuk harrohen kurrë! Unë nuk e di nëse këngëtari i madh Qemal Kërtusha do ta lexojë ndonjëherë këtë shënim. Po… mbase…

E enjte 23 maj 2013 ora 19:30

 (ZHORZH SAND)

“MONOLOGU I ENIGMËS” botuar në maj 2015

About Post Author