Violeta Kadriu :A edhe sot lum dielli, s’do që të ndriçosh fare


Violeta Kadriu

Babë, u mbushën 40 vjet qëkur na le e dhimbja e malli për Ty kurrë na shuhet….

A edhe sot, lum Dielli,
po rri ngrysur e s’do që të dalësh fare?
A edhe sot, si atë mot të 1981-shit
ende me ne, po derdh lotë, me dhimbje vrastare?
Si atë të mërkure të kobshme dhjetori
kur, me tërë Llapin, nga dhimbja u errësove, veshe petkun e zi,
e kurrë më njëjët jo, jo, nuk ndriçove
se rrezet e tua për mua mbetën gri.

O mos u mundoni sot të më ndalni, të gjithë pranë meje heshtni,
në këtë ditë gravurosur me dhimbje
askush s’dua të më flasë,
nga zëri im gjithë vaje, prapë të trandet fusha, mali, lumi
dhe oqeani me dallgët e tij, nga dhimbja ime të buçasë,
bashkangjitnju dhimbjes sime, ju gurra, lumenj e kroje,
që aq shumë Babai im ju deshi
e me mallë e zjarrë për ju këndoi,
ndalni sot bilbila këngën e zukamën bletë ndër hoje,
Krijuesi në Arshin e Tij, si atë ditë
vajin e lutjen të ma dëgjojë!

Lute Akacje sot , që të vijë Majin
e të lulëzosh me njato lule të bardha, me plot hijeshi
jo, jo, s’do të mund prapë të ma ndalësh të mallit vajin,
edhe pse të gjitha lulet tua do t’i mbledh me më të madhen dashni,
t’ia dërgoj sot të gjitha, Babait tim në varr
siç m’i këpuste këto lule e m’i dhuronte sa ishte gjallë,
lotët që m’rrjedhin e lulet tua t’bashkohen me të varrit bar
e ndoshta sadopak mund ta shuaj këtë të shkretin mallë.!

Mblidhuni sot, ju të gjitha shkronjat në abetare
e qani prapë , si atë ditë, me za,
bashkojeni dhimbjen tuaj të artë me timen
se, Penë si e Tij që aq ju miklon, më nuk ka,
me Ju skaliti e lartësoi këtë gjuhë vigane
e errësirës mbi të, përgjithmonë i tha”Ndal!”
shëndriti me djersë e dritëshpirti këtë Tokë Dardane,
që ndër shekuj të qëndrojë si Më i Larti Poet-Lis në Mal!

09 12 2020 Podujevë Kosov

About Post Author


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.