Violeta Kadriu-BISEDË E DHEMSHUR ME BABAIN TIM



Violeta Kadriu

BISEDË E DHEMSHUR ME BABAIN TIM

( Babait Tim, KADRI KADRIUT)

Kush të lëndoi, Baba,
athua qielli u hidhërua me Ty
pse Ti ia more kaltërsitë me sytë e Tu,
e ti thellë u lëndove
e na le aq herët e shkove?!

Kush të hidhëroi,Baba,
që aq herët ike,
apo u hidhërua dielli me Ty
që ia more gjithë shkëlqimin,
e ti u lëndove
e na le aq herët e shkove?!

Më trego, të lutem,kush t’ lëndoi Baba,
apo me hanën u zure,
që ia këpute çdo rreze
e në ditarët e nxënësëve Tu i vure,
e Ti prapë u lëndove,
e na le aq herët e shkove?!

Kush të shitoi,Baba,
Zanat apo lisat arbërorë, ndër korije e prroje,
që ua vodhe fuqinë mrekullibërëse,
e ua vure në trup të çdo luftëtari,
e Ti edhe nga ta u lëndove,
e na le aq herët e shkove?!

Kush vallë, të treti për së gjalli, Baba,
trëndafili apo luledielli i Dardanisë,
që ua more pérshéndetjen e aromën,drejtuar Parajsës,
e e vure në çdo skaj të Atdheut Tënd, Shqiptarisë,
e Ti, përsëri në zemër lëndim more,
e na le aq herët e shkove?!

Kush të preku në shpirt aq thellë,Baba,
apo cicërima e mijëra zogjëve e bilbilave,
që ua vodhe këngën,
e e vure në çdo simfoni ninule shqiptareje,
e Ti u léndove,
e na le aq herët e shkove?!

Kush të këputi në mes, Baba,
apo loté e mi të nxehtë,
kur të erdha, sikur ta dija, për të të dhënë ” Lamtumirën” e fundit,
e u treta në shikimin e thellë té syve të Tu,
tek luftonin me sëmundjen e zemrës,
e ti aq shumë u preke,u lëndove,
e na le aq herët e shkove?!

Ah, shumë herët na le, Baba,
athua edhe sa gjatë duhet të jetojmë ,zemërthyer,
që të takohem prapë me Ty?!

VIOLETA KADRIU, Shtator, Podujevë

About Post Author