Violeta Kadriu :Çfarë je, në të vërtetë, poezia ime?


Violeta Kadriu

Çfarë je, në të vërtetë, poezia ime?

Që të di, poezi, për ty se çfarë je

duhet t’ i hap portat e shpirtit e të shoh brenda në to,

nëse dua të ta ndjej aromën e të kuptoj çfarë ngjyre ylberi ke,

duhet t’ i shtrydh venat e mia e më tregojnë ato!

Poezia ime, ti je rrebelja

që çdo natë m’ i thua gjumit ik,

vetëm t’ më kesh çdoherë ngat,

je dashnori im më i mirë,

më i qëndrueshmi e më besnik,

që sa herë të thërras të bësh dashuri me mua

i lë të gjitha e vrik më hyn në shtrat.

Je ti ajo, poezia,

që di të xhelozosh më së shumëti,

e mund të hysh në mes dy zemrash

e çdo çift mund ta bësh poet,

nganjëherë di të jesh thikë e mprehtë,

nga ato me dy apo më shumë teha,

me rima, krahasime, metafora

padashje të pret kur s’ e pret!

Poezia ime, ti ke ngjyrë qielli t’ kuqrreme,

që puth det e qiell të paanë,

sa herë Dielli do të perëndojë,

je Hyjni,

që më ngjan me Babain e Nënën teme,

që sa herë kam qeshë a kam qarë

më kanë shtrënguar thellë në gji.

Poezi, më je eliksir shpirti,

që rrjedh gurra vere parajse

e aromë parfumi më t’ mirë

në çdo muaj e çdo stinë,

nganjëherë di të jesh nervoze

e shpeshherë luftarake,

nëse dikush mundohet të ta cënojë

më të shtrenjtën tënde” Lirinë”.

Zoti po të donte

shenja gishtrinjsh do na linte në gojë,

por, ishte Ai, Supremi

që në duar na i la,

prandaj, kujdes kush të shkruan ty poezi,

se gravura në çdo gurë s’ është lojë,

për një shkronjë a shenjë t’ gabuar

njerëzia mbetet pa kokë a “krahë”!

Poezia ime s’ është për frikacakë,

poezia ime është për trima,

nuk është si ato gjethet

që sa herë frynë era i shkund,

është për ata që E KANË HAK,

në të frymojnë më t’ magjishmet Vlera,

që dhe Apokalipsi po të bjerë

nuk mund dot t’ i tundë!

Poezi, ti më je çelsi,

që shpirtit tim i hap rrugë e dyer,

e me krahë Engjëjsh Parajse

të depërtojë nga të dojë,

ti më je Lindja, Jeta, Vdekja

e më je prap ” RILINDJA”,

që s’ ma lejon gurrën e artë letrare

jo, jo kurrë t’ më shterrojë!

PODUJEVË KOSOVË