Violeta Kadriu
” Gëzuar”, pranë gurit e dheut të varrit tënd, moj nënë
Këtë buzëmbrëmje, NËNË,
të erdha prapë pranë varrit,
ah, moj nënë,
ngrica ta kishte pushtuar,
lulet Margarita që t’ i mbolla,
ende s’ i buzëqeshkan fillimbeharit,
ta vura dorën e faqen
mbi dheun e gurin e të ftohtit varr,
që tash sa vjet, për agimet e ngrysjet e mendimeve të mia,
mbetën destinacion i parë.
Në këtë vend, të dy dhimbjeve të mia, që qajnë,
më duket dy zëra që më thërrasin, i dëgjoj,
t’ Babait” Votë” e Tëndin” Letë”,
ah, cilit të parit t’ i përgjigjem,
cilin gur varri të parin ta përqafoj,
dheut të cilit varr më parë t’ i marr erë,
ta marr në grushta e pranë zemrës ta mbaj,
kur, cilin ta prek, njëjët më shkakton mall e dhembje
e ma zhgreh njëjët shpirtin tim në vaj?!
Sot, së pari do të ndalem tek i yti, NËNË,
të të them dhe n’ përjetësi ” Gëzuar”,
O Diell, me dashuri, dhimbje, mundime praruar,
në këtë botë e n’ të Përtejmen kurrë Perënduar,
Ty,
që ishe dhe mbete eliksir i jetës,
frymës sate,
që ishte dhe mbeti sinonim i së vërtetës,
emrit tënd,
që i dha e i jep gji e buzëqeshje çdo fëmie,
ty,
që i vure themelet çdo perandorie!
Kujtimit në ty,
që m’ i tha e m’ i thotë ” Mirëmëngjes” çdo agimi,
ty,
prej nga vjen i dritëshpirtit reflektimi,
që zhdukë çdo lotë e hije pikëllimi
e prej nga fjala ” Dashuri”
rrjedh si ujë burimi!
Ty,
që me urtësi i bashkove gurët çdo rrënoje,
shpirtit tënd,
që me dashuri i këputi telat çdo rrethoje,
ty,
që mjaltë të ëmbëltoi çdo fjalë goje,
e ishte e mbet gurgullimë shqipe
në ujëvara e përroje!
Ty,
prej së cilës hapat e parë mora,
Ty,
që më ngrohe si Diell e bardhove si bora,
Ty,
që me lotë gëzimi e malli
çdo lule ke ujitë,
që më ke lind,ninuluar e rritë
sa herë jam rrëzuar
, më ke ngritë
e krahhapur
në derë më ke pritë,
në këtë botë e në t’ Përtejmen
më e ndritshmja dritë!
Ty,
që çdo ditë ke lutë Zotin për lumturitë e mia,
Ty,
para Së Cilës përkulet PAVDEKËSIA!
PODUJEVË KOSOVË 2022
