Violeta Kadriu-Për ditëlindjen time


PËR DITËLINDJEN TIME

Sot ndoshta fitova ndokund ndonjë rrudhë,

ndoshta flokëve të mia u thotë ” Mirëse ju gjej” ndonjë thinjë,

vitet e mia rrjedhin, as sot nuk ndalin udhë,

edhe pse ende ruaj buzën e kuqe e ndrij sytë e mi të zinj!

Me këtë datë, para shumë vitesh, pse erdha n’ këtë botë qava e qesha,

për herë të parë dorë e nënës, në djep më përkundi,

shumë njerëz, të mirë e të këqinj, gjatë këtyre viteve ndesha,

pa e kuptuar se hidhërimeve e gëzimeve, me vite nuk po u ardhka fundi!

Shumë herët, në vegjëli, me mallë të thërrisja ” Babë” mbeta,

shoqeve, shokëve kur thërrisnin këtë emër, ah, sa lakmi iu mora,

me këtë mallë të pashuar, prapë më hidhëroi e qeshi jeta,

edhe pse shumë të mira i lash t’ më iknin nga dora!

U shpërbleva nga jeta me tre vëllezër e tri motra,

që më ndrijnë si yjet, edhe pse larg n’ gurbet,

sa herë kthehen, si dallëndyshet, oh, si na qeshet votra,

nga të qeshurat e lumturia, mbushim plot një det!

Ma kanë ngrohur e ma ngrohin shpirtin katër filiza të mi,

cicërimat e tyre kur më kanë lindur, si sot i kam në kokë,

asnjë çast të jetës sime nuk ngihem zërin duke ua ndi,

prandaj e quaj veten “femra më e lumtur në tokë”!

Dita të dashuroj n’ këto vite, me shumë afsh e zjarrë,

kuptova se dashuria e pastër, s’ blihet as shitet me para,

iu dorëzova njeriut të zemrës, nganjëherë si e marrë,

se ai që s’ diti të dashurojë, në shpirt mbeti fukara!

Desha Kosovën time më shumë se asgjë tjetër,

për atë shkak që e desha tepër, as kurrë nuk e lëshova,

për mua mbet dashuri e vetme, që kurrë s’ u bë e vjetër,

edhe pse shumë vende të huaja me këmbën time pushtova!

Kam lexuar e kënduar këto vite, vargje t’ poetëve në nam larë,

të Homerit, Khajamit, Gëtes, Hamletit, Pushkinit,

por, askush s’ mundi të ma ngrohë zemrën si poetët e mi shqiptarë,

tek u këndojnë bukurive të Llapit, Rugovës, Tiranës, Dukagjinit!

VIOLETA KADRIU

About Post Author