Violeta Kadriu-Plumbi kafkën kur të ma shpojë


PLUMBI KAFKËN KUR TË MA SHPOJË

Mbylli sytë, moj nëna ime
plumbi kafkën kur të ma shpojë,
mos dëgjo, të lutem nënë, zërin tim
kur shtrirë nga dhimbjet do të rënkoj,
të gjitha dhimbjet e kësaj bote
i përballon kjo zemra ime,
përveç lotit në faqet tua,
të fishkura nga dhimbjet, o nëna ime!

Hutoje babain, nëna ime,
thuaji:_Yt bir në gjumë ka rënë!
Nëse pyet për të plumbave vrima
thuaji:_Mushkonjat e kanë ngrënë,
nuk përballoj që krenarinë e babës
loti, para hasmit, t ia thejë,
aman, nënoke, këtë mos lejo,
se pa vdekur ende, më ngrin gjaku në dej!

Ua puthi ballin e zhuritur
edhe i vdekur, si të jem i gjallë,
ua puthi duart me aromë misërnikesh,
që nga puna gjithëherë qenë varrë,
edhe balta, ju nga shkelët
parfum më i miri qe për mua,
gjaku vrull, që më rrjedh nga trupi
KOSOVËS IU BËFTË MË I MIRI KRUA!

Kur të të pyesë ty, motër mjera
…Oj nënoke, ku e kam vëllanë?
Çfarëdo tjetër, nëno thuaji
vetëm mos i thuaj se në pabesi e vranë,
se shëmtohet, se ligështohet,
motërza ime e i humbet ëmbëlsia,
dëlirësinë ia tretë marazi
e i zhduket në zemër dashuria!

Kur të të pyesë, nëno, gruaja ime,
asaj më së ngadalti t’ vërtetën tregoja,
sa isha gjallë, pak kohë kurseva
që t’ i tregoj sa e dashuroja,
po i lë jetimë, nëno, për të rritur,
thuaji e fortë për ta t’ qëndrojë,
ka shpresuar, gjatë më ka pritur
e tash pa mua rinia do t’ i shkojë!

Kur të të pyesin zogjtë e malit
përse fyelli im s’ dëgjohet,
thuaju:_Biri në kurbet m’ ka shkuar,
së shpejti do të kthehet, nuk vonohet,
nuk duroj që zogjtë, bilbilat,
asnjë çast këngën ta ndalin,
se fillojnë krrokatin korbat,
festojnë që nënës ia vranë djalin!

Kur në varr, nëno, niseni t’ më çoni,
rreth brezit armët m’ i shtrëngoni,
shokët e mi, nëno, qafmi fort,
thuaju:_Biri im qoftë i fundit mort!

Kur të të pyesin fëmijët e mi:
– Pse nënoke, ne kemi veç nënë?
Thuaju se babai iu është bërë lulëkuqe,
PËR KOSOVË DESHMOR KA RËNË,
e kur të pyesin se ku e kam varrin
tregojua, nëno, Lapidarin!…

VIOLETA KADRIU 02 Dhjetor 2022, PODUJEVË, KOSOVË

( Me rastin e 24 vjetorit të rënies në Altarin e Lirisë të Dëshmorëve të Kombit, AFRIM MALIQIT( djalit të hallës sime), HYZRI TALLËS dhe ILIR DURMISHIT!
LAVDI! 

About Post Author