Violeta Kadriu :Po s’ të pata


Violeta Kadriu :Po s’ të Pata

M’ u cungoftë e fjalës shpata,

m’ u shkurtofshin flokët e gjata,

m’ u errësoftë çdo ditë, m’ u bëftë si nata,

po të lash sonte e s’ të pata!

M’ u ngryst i gjithi, m’u shterroftë shikimi,

m’ u sostë i dritshpirtit reflektimi,

bardhësitë e mia i mbuloftë pikëllimi,

nëse lejoj pa ty t’ më çelë agimi!

Acar i dimërave le t’ më mbytë,

thellësi oqeani le t’ më zhytë,

lindje ylberi mos m’ pafshin më sytë,

po desha pos teje njeri të dytë!

Armik më i egër më vuftë nën thembër,

edhe engjëjt në Qiell më shikofshin shtrembër,

mos i thënça më kurrë vetes femër,

po s’ të mora prapë tënden zemër!

09 shkurt 2022

Podujevë Kosovë

About Post Author