Violeta Kadriu-PSE BUKURITË E SHQIPEVE I LAM SHKRETË


Violeta Kadriu

  · 

PSE BUKURITË E SHQIPEVE I LAM SHKRETË

Sot poezia ime e qëndisur,

do të hapëroj besa shumë larg,

sonte muza ime e dalldisur,

do t’ mbështjellë me mëndafsh të maleve varg!

Sonte poezia ime do zë vend,

ndër zemra gurësh që e ruajnë kullën,

do ligjëroj për vendin që më turbullon mend,

larg vendit ku së pari dëgjova ninullën!

Sonte poezia ime do këndojë,

për njerëz bujarë trima,malësore e malësorë,

ndoshta dikend do e lumturojë,

ndër rrafshnalta Kosove, qëndisë me borë!

Do këndoj për malësore e malësorë me nam,

që lan malet bleroshe e zbritën në qytet,

për ato fusha me manushaqe e dafina, që në mendje i kam,

e që patën zemër t’ ua kthejnë shpinën e t’ i lënë shkretë!

Për ato vende,ku lodërojnë drenushat,

e ketrat me qengja, valle shqiptare lozin valle,

ku, nën puhizë frymëmali qeshen gëmushat,

ku u përkundën djepat shqip me lumturi e mijëra halle!

Oh, sa vende të tilla ka si lum Atdheu,

ku më nuk frymojnë e as shkelin shumë hapa të njomë,

sa bukuri të braktisura, pa pikë mëshire lam ne,eu,

e i shëndërruam në vendbanime e male kufomë!

Ku janë zërat e ëmbël prej fëmije,

ku ndihet zë kushtrim e besë burrë- burri, a e përcjell jehona,

është mëkat prej Perëndie,

është mëkat prej bjeshkëve tona!

Përse, vallë, tupani këndej më nuk ndihet,

athua ku gjendet dajreja, lahuta, çiftelia,

përse malësori me çeleshe këndej pari rrallë shihet,

apo i verboi nami, e i treti e pasurisë lakmia?!

Ku është çobanesha e bukur, vallë ku është fshehë çobani,

që aq flakërueshëm dikur duheshin nën hije molle,

e kur i zinte shiu, punë iu bënte stani,

duke ngjeshur afër njëri- tjetrit trupat, prej skifteri e belholle?!

Kanë mbetur kërcu vetëm, vetëm ndonjë plakë a plak,

që presin ndër pragje, të bijtë e bijat, të zhuritur,

zemra e malli i tyre erëson farmak,

të braktisur nga të gjithë, trup e shpirt drobitur!

Ku është ai dashi me këmborë,

që i printe me krenari tufës,porsi një mbret,

ku është kryeçobani, ai me kërrabë në dorë,

apo të gjithë i treti dheu, mu si kripën në det?!

VIOLETË KADRIU 19 tetor 2022 Podujevë Kosovë