SPIUNËT
Spiunët e zinj tjetër punë nuk kanë,
vetëm të përcjellin kush, çka, tek, përse bën,
ata , të lindur vetëm për të spiunuar janë,
e gjithë jeta u shkon kë në shënjestër ta vënë.
Nga syerrësirëferri i spiunit, nuk ke se ku fshihesh,
për të spiunuar e trilluar edhe vrimës së gjilpërës ia mësyn,
duke marrë në qafë të pafajshëm, a kurrë s’ e ke ndërmend të ngihesh,
ah, murlan i pabesive, në dejt e tu pandërprerë fryn!
Edhe sa kohë të themi fjalët “ fshehu se na pa spiuni”,
edhe sa do na marrësh në qafë, duke na sulmuar vërdallë,
nga ato që bën ti, shtazë është e turpërohet dhe majmuni,
kurrë s’ do të fikësh zjarre shkatërruese, veç do për të kallë!
Përse mor njeri spiun, kurrë rehat nuk na lë,
o njeri më i ligu, me vesin më të keq,
mëkatet që bën ti, s’ ka varr që mund të t’ i zë,
të fali Zoti njeri, por ti u shëndrrove më djallziu dreq!
Sa rreze dashurish më të zjarrta, në kthetrat e tua ranë,
sa cicërima zogjësh e bilbilash, nga çjerrja jote u shurdhuan,
sa trëndafila e lulebozhurë, nga errësirë e jote u thanë,
sa sy, drejtuar diellit e hënës, nga ogurterri yt u verbuan!
E di sa mallkime nënash, të rëndojnë mbi shpinë,
në sa pellgje lotë fëmijësh, kripesh i mallkuar,
sa lumenj gjaku martirësh, vërshove në mal e lëndinë,
në sa zinxhirë të pabesive ndaj Atdheut, ti qëndron pranguar?!
