Violeta Kadriu

Mirë se na erdhe, o e bukura pranverë
Mirë se na erdhe dhe sivjet, o e bukura Pranverë,
mirë se na gjen, bleroshe, më të vjetër për një mot,
ti që bën të hapim dritaret e mos të mbyllim derë,
blerona edhe shpirtërat me gjallëri,
e dashuri e gëzime plot!
Më fal borë bardhoshe, që lamtumirë po të them,
më fal dimër me acar, se mjaft na mbajte nën dry,
po më thërret Pranvera, zë i bilbilit në gem,
e fushat qëndisë me barë e lule po ma bëjnë me sy!
Do të dal sot të lodroj së bashku me qengja e drenusha,
se aromë dehëse e dushqeve mua po më pret,
po më mikëlojnë mushkëritë e syrin manushaqet në gëmusha
e gonxhe e çelur e qershisë t’i marr erë po më thërret!
Sa do të doja, për një çast t’ i kthej pranverat
e të së bukurës rinisë sime,
e nga ballkoni ta sodis lumin Llap teksa nga diell pranveror harbohet,
t’i shoh dhe t’ u marr erë dhe njëherë atyre trëndafilave të egër,
e zemra ime mes tyre, nga dashuria prapë të gufohet!
Pranverë ishte dhe atëherë, pat lulëzuar murrizi,
kur poezinë e letrën e parë mes lulëzimit tënd e shkrova,
nëpër të gjitha shelgjet e blirët pat mugulluar filizi,
se do të të dua përjetë, në aromën tënde u betova!
Do i marr n’ krah pëllumbat e kanarinat
e cicërimat e mijëra zogjëve,
me këngën e poezinë time, me ëndje do i bashkoj,
do haproj me afsh malli rinor, malet, brigjet luginat
e e lumtur dhe këtë pranverë
mes tyre do e shijoj.
Pranverë në natyrë, pranverë në zemrat tona
që e bulëzon çdo bimë e krijesë e i jep shpirt të ri njerëzisë,
përqafo dalldisjen pranverore e vargun tim të artë për ty,
dhe prej meje qofsh e bekuar, siç je prej Perëndisë!
PODUJEVE KOSOVE