Violeta Kadriu:Ti


TI

A mos je engjëll, hyjni apo zanë,

a qipariz i blertë, më njomështaku në pyll,

a ndoshta je diell, apo e kuqrreme hanë,

apo n’ galaktikën qiellore , më i ndritshmi yll?!

A ndoshta je gurrë, që asnjëherë nuk ngrihet,

a lum më i rrjedhshëm,që rrjedh në shkretëtirë,

a dritë parajse, prej së cilës s’ mund të fshihet,

a aromë zymbyli, parfumi më të mirë?!

A mos je sirenë e artë, më e bukura në det,

a plazhi më i bukur, me më të imtën rërë,

a muzë e lazdruar, që s’ lë të fle asnjë poet,

apo në pajë të nuses,më depërtuesja gjilpërë?!

A je tingull i ëmbël fyelli,që ndihet në çdo mal,

a melodi kitare, që fle në çdo serenatë,

a ngrohtësi behari,që u thotë ngricave”ndal”,

a puhizë verore, që më deh çdo ditë e natë?!

A lulja më e bukur,që e para i qeshet beharit,

a zë i mallshëm bilbili,që ndihet në çdo stinë,

a reflektim ylberi, që i qeshet borës e barit,

pëllumbeshë, shqiponjë, a ndoshta gjeraqinë?!

Më duket se je fjalë, më kuqloshe lirie,

e cila përulë shkëlqimin e çdo madhështie!

About Post Author