Violina emeton tingujt që shpirti i artistit fsheh!


DESELA NUREDINI, mesuese e letersie, gjimnazi “Asim Zene;i”, Gjirokastër.

“…Njerëzit qenkan si qelqi,kur ka diell shndrijnë, ndërsa në errësirë duhet të kenë shumë dritë brenda vetes për t’u shquar.”

Nelson Andrea, personazhi kryesor i romanit të fundit “Amerikani” i shkrimtarit dhe gazetarit gjirokastrit Odise Kote, bëhet zëdhënësi i mesazheve jetësore ,ndërgjegjësuese dhe të vërtetave të “fjetura” në ndërgjegjen e popujve të cilët shtypur nga pushtete diktatoriale nuk kanë mundur kurrë të gjejnë fjalët apo të rrëfejnë ngjarjet të cilat kanë shenjuar pseudo- jetët duke lënë plagë shpirtërore e duke paracaktuar fate.

E konceptuar si një vepër mes realizmit magjik sintezë e dy të kundërtave të cilat formojnë një lidhje mes botës reale e fantastike, realja në historinë e trishtë që Nelson i rrëfen lexuesit, përmes kalvarit të vuajtjeve :ndalimit në aeroportin e Tiranës, trajtimi çnjerëzor për të pohuar të vërteta të stisura, njohjes me Rako Siranin dhe të shoqen që në sytë e lexuesit nuk del me një emër konkret por me nofkën “Shkurre”, konvertimin e tij nga Nelson amerikan, në Nelon shqiptar me një identitet të ri i gjurmuar dhe pa të fshehta, martesa me Pandorën shurdhmemece e deri tek ftesa që ambasodori amerikan i bën Nelson Andreas për të luajtur më violinë në nder të marrëdhënieve të rivendosura Shqipër-Amerikë dhe elementit magjik që i asociohet botës fantastike e imagjinare, bisedës me Hyjnorin, takimi me rojtarin e varrezës,historisë së pabesueshme e të tjetërsuar të princeshës Argjiro i japin veprës karakter mistik e të pazakontë.

Koten, si shkrimtar duhet jo ta lexosh për të perceptuar botëkuptime e këndvështrime jetësore të një personazhi apo një bote që është “damkosur” , por të përpiqesh të zbërthesh kuptimet e dyfishta të nxjerra në formatin e “postulateve” të cituara nga persosnazhi kryesor Nelson Andrea, por që sjellin refleksione të vetë autorit të romanit.

Absurdi është tipari tjetër me të cilin “mbështillet” romani “Amerikani”. E gjithë situata në të cilën gjendet personazhi kryesor është absurde dhe e paqartë. Lexuesi kupton se Nelsoni do të arrestohet e burgoset ,vetëm sepse zbriti nga avioni Vjenë -Tiranë “ i damkosur” për shkak të nënshtetësisë së tij amerikane duke krijuar tek lexuesi pikëpyetje të cilat mbeten pa zgjidhje e të cilat para lexuesit i parashtron vetë autori Kote përmes rrëfimit të personazhit kryesor i cili në tokën shqiptare “takon”absurdin. I vetmi zë që e mbyste këtë realitet absurd ishte dashuria për muzikën dhe për violinën “Stradivarius” e dashuria erotike për Hana Erdalin,vajzën hebre që Nelson kishte lënë pas.

Vepra është konceptuar në dy pjesë.E para rrëfën historinë e vuajtjeve të personazhit kryesor,violinistit Nelson Andrea në burgun e diktaturës komuniste, mbijetesën dhe kacafytjen e jetë-vdekjes; pjesa e dytë është konceptuar në formatin e një metamorfoze jetësore:detyrohet të martohet, krijon familje, duket se pranon realitetin në të cilin gjendet, por zëri i brendshëm i ndërgjegjës nuk e lë asnjëherë të “humbasë” identitetin e tij. Ajo që të bie në sy në këtë ndarje konceptore dhe që përbën risi në zhanrin e romanit janë fragmentet në të cilat linja logjike, fabula ndërpritet për t’i lënë vend reflektimit të shkrimtarit se fati i individit është i paracaktuar nga mëkatet e paraardhësve e ku zbulojmë se i ati i Nelos, Sotiri ishte larguar nga Shqipëria duke braktisur bashkëshorten e dytë pas mamasë së Nelsonit, Marinë, pasi kjo e fundit duhet të qëndronte me të ëmën e moshuar, për t’u rimartuar sërisht në Amerikë me një grua tjetër dhe ndërgjegjësimit e frikës që autori i mëshon fjalës së vjetër turke “SAKËN” e përdorur nga personazhi ithtar i komunizmit dhe i diktatorit Rakoja, e ku përmes të cilës ai shtypte jo vetëm mendimin e lirë, por edhe idetë të cilat mund të lindin brenda mendjes së pakufizuar njerëzore të të riut Nelson.

Nelson e Rapo dy prej protagonistëve të romanit shpalosen përpara lexuesit me këndvështrime,ide dhe botëkuptime të cilat nuk kanë fije lidhëse me njëra -tjetrën. Rakoja, prezantohet nga autori Kote si individi që shtyp me çdo lloj mënyre ëndrrat, idetë, zgjedhjet të cilat bien ndesh me parimet e shtetit diktatorial, ithtar i të cilit është. Mendësia e vjetër dhe pushtimi i gjatë vjen përmes fjalëve turke të përdorura prej tij, ndër to siç e citova më lart edhe fjala “sakën” të cilës autori i referohet shpesh dhe e vendos në gojën e personazhit me qëllimin e zbulimit të natyrës së vërtetë të Rakos, sundues, shtypës duke aluduar në këtë mënyrë diktaturën komuniste dhe vijën paralele mes saj e perandorisë otomane:mohim i lirisë, humbjes së identitetit dhe pushtimit të gjatë e shekullor.

Nelsoni shpalos përpara lexuesit një të ri vizionar, artist me dëshirën për liri por mbi të gjitha për identitet. Ai dhe violina, vegla muzikore pas së cilës është i apasionuar, janë të ngjashëm:violina emeton tinguj për të tjetërsuar emocionet-Nelson kërkon të thyejë barrierat përmes forcës së fjalës; druri i saj kërkon përkujdesje-Nelsoni kërkon butësi dhe dikë që të përkujdeset për të për t’i tjetërsuar humbëtirën në të cilën gjendet. Violina dhe Nelsoni jane të pazgjidhshëm, nëse i shkëputin nga njëri -tjetri violina “harron” të tjetërsojë zymtësinë e mjedisit dhe të dëshmojë gjendje shpirtërore e gjitha kjo përmes gishtave të Nelson Andreas.

Përmes elementit të retrospektivës autori Kote i risjell lexuesit historinë e pazbuluar të Nelsonit,emrin e tij real Guri që Sofia, nëna jo biologjike e gruaja e dytë e babait e thërriste duke rrëfyer tek lexuesi historinë e njohjes më të atin e Nelsonit, Sotirin rrëfim i cili të sjell ndër mend elementin folklorik të legjendës si për të dëshmuar se ndoshta kjo e fundit do të përsëritej tashmë tek pasardhësi Nelson Andrea. Elementi fantastik e sugjestionues është pjesë e pandashme e rrëfimit .Teknika e perspektivës e sjellë përmes takimeve me personazhe të cilët nuk gjallojnë më, si i ati Sotiri, apo e ëma e Nelsonit sjell tek lexuesi pararendjen e ngjarjeve, nxit tek ai të menduarin se diçka do të ndodhë dhe nuk do të jetë pozitive pasi në mendësinë dhe kulturën shqiptare amanetin nuk e tret as dheu e nëse ai nuk çohet në vend, përmes ëndrrave dhe gjumit shfaqen pjesë të bisedave dhe ndërgjegjësimit të amanet-dhënësit për t’i çuar deri në fund apo për të paralajmëruar amanet -mbajtësin.Nelsoni-Guri besimtar në Zot, violinist i nepërkëmbur, liri mohuar identitet humbur por amanet- mbajtës është zëdhënësi i një prej periudhave më të errëta të Shqipërisë e shqiptarëve.Ai bëhet dëshmitari i një qyteti të vogël në jug të vendit, Gjirokastrës që shirat e rrëmbyeshëm dhe mungesa e diellit ishin pasqyra e shpirtërave njerëzorë zërat e të cilëve u përpoqën të shtypen duke harruar se gjurmët e së shkuarës, vështirë të fshihen, ato shkruhen për t’u perjetësuar nga pena e shkrimtarëve si Odise Kote.