Violinë dhe rrebesh-Vaso Papaj


Qan violina aty, mes nesh,

Nuk ka fund ky dreq rrebesh.

Puthen notat, veshin xhamat,

Iso e shiut zbut vikamat.

S’kemi drojë, se na sheh kush,

Ti violinën ke nën gushë.

Partiturat radhë,… Belini,

Mendelsoni, Paganini.

Hënë s’ka, u shkreh në vaj,

Buzës tënde don t’i ngjajë.

Gishtat telave vërtiten,

Herë zvarriten, herë kapiten.

Mos është natë e fundit bashkë?

Dridhet era xhamit jashtë.

Qan violina midis nesh.

Fati ynë, vallë ndarjen ndesh!?

Ti nuk flet, as unë nuk flas,

Mos ky qiell dashka t’na vrasë?

Me rrebesh po na qëllon…

Teli MI seç më trazon.

Do ta pres, le t’më godasë.

Ky qiell plumb më bën të flas.

Se lirinë gjallë s’ma merr dot.

E kam Zot e përmbi Zot.