Viron KONA:Dikushi dhe askushi, epigrame


Shkruan Viron KONA

Dikushi dhe askushi, epigrame

Mbretërit

Mbretërit fitojnë,

mbretërit bëjnë histori,

popujt vriten, sakrifikohen,

mbretërit mbulohen me lavdi!

Vendin e minjve

Prite të iknin ata, që ti të flisje,

duket, s`guxove, s`përballeshe dot,

kur “ikën macja, minjtë hedhin valle”,

vendin e minjve e zure ti sot!

Tregoje veten!

Sukseset e tjetrit të zemërojnë,

po bluan përbrenda si një mulli,

duket mulliri yt s`bluan grurë,

por egjër sterrë të zi.

Tregoje veten në fushë të hapur,

t`i bëj të tuat, tjetri bën të tijat,

është koha dhe populli që ndan

grurin safi prej egjrave t`këqija.

…………

1.Egjër,barishte e egër një vjeçare që rritet zakonisht në arat me grurë.

2.Safi,i papërzier me diçka tjetër.

Skulptori

Krijon buste dhe shtatore,

ca me porosi, ca me zemër,

të parat janë vetëm numra,

të dytat e bëjnë me emër.

Ironi

Kush vjedh shumë e bën zullum,

asgjë s`i bëjnë, veç e përflasin,

kush vjedh pak, një copë bukë,

e demaskojnë, në burg e rrasin…!”

Politikanët

Janë tipa që kanë “lindur” për burra shteti,

shfaqin veten si heronj dhe udhëheqin parti,

ndërrojnë pushtetin me radhë dhe me lezet,

fronin ku ulen e kanë me vulë dhe me tapi!

Dikushi dhe askushi

Para-prapa i rrije kur ai ishte “dikushi”,

sapo ra nga froni, the: është “askushi”.

Vetëm “pullë poste”, të shkoj kjo jetë,

përherë e maskove fytyrën e vërtetë.

Pa pamje,pa fytyrë,pa formë e karakter,

duket se “askushi”, je ti more i mjerë!

……………

1.Iu bë “pullë poste”, i ngjitet pas dikujt dhe s`i shqitet deri sa të mbaroj punë.

About Post Author