Viron Kona:Liderët(një tufëz me epigrame)


Viron KONA

Liderët, një tufëz me epigrame

Mendja jote si llamba

Kur flet dhe vepron,

veten tënde tregon,

je si një llambë në dhomë,

e shuar, e zbehtë apo ndriçon!

Dallgët

Në krahët e prindërve,

dallgët i çanë lehtë,

por ama kur rritesh,

duhet t`i çash vetë!

Një fije shkrepse

Një anije gjigande,

dallgë e stuhi përballon,

një vrimë fare e vogël,

në fund të detit e çon!

Një fije shkrepse,

një pylli të madh djeg,

një hapi  i gabuar,

në humnerë të hedh!

Nga gjërat e vogla,

vijnë gjërat e mëdha,

një fjalë e gabuar,

të fut në bela!

Me lezet

Kur je pijanec,

ti s`di çfarë flet,

tjetri ta merr atë që do,

me dolli dhe me lezet!

Gjahtari i fjalëve

Më mirë gojën kyçur ta mbash,

kur s`je i sigurt, gjë mos thuaj,

tjetri po pret si gjahtari n`shteg,

fjalën tënde të gjuaj.

Tregtinë e fjalëve ai ka zanat,

me to argëtohet, me ato rron,

fjalët e tua si fruta i përpunon,

me ambalazh firmato i tregton.

Artificiale

Ke ndryshuar pamje me operacione plastike,

mburresh se lulja më e bukur e kopshtit je ti,

por t`gjithë pëlqejnë m`shumë lulet natyrale,

dhe jo lulet artificiale të dyqanit përkarshi… 

Si në pasqyrë

Ndarja e pronës i nxori njerëzit në pasqyrë,

i nxori siç nuk i kemi njohur kurrë më parë,

nxori fare hapur hipokrizinë dhe pabesinë,

nxori lakminë e vëllait për vëllanë!

……………

1.Makutëri,në kuptimin i pangopur, grykës, lakmitar i madh e grabitqarë

E ke në dorë ti

Kjo botë kaq e madhe,

kjo botë “rrokulli”,1.

plot me dinakëri,

luftëra e padrejtësi.

Në këtë zallamahi,

gjej vendin, o njeri:

breshkë apo shqiponjë,

këtë e ke në dorë ti!

……..

1.rrokullí,-a, gjithësia; rruzullimi; bota.

Liderët

Njerëzit pas tyre vërshuan me brohori,

u thurën himne sikur të ishin perëndi,

por shpejt kuptuan se ishin mashtruar,

ata s`ishin perëndi por djaj t`maskuar.

1.Djall, këtu është përdorur në kuptimin njeri dinak, mashtrues, shpirtkeq, që di të përfitojë në çdo rast e rrethanë.

About Post Author