Vizita e Xi Jinping në Moskë dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë!Fatjon Malaj


Fatjon Malaj

Vizita e Xi Jinping në Moskë dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë!

Vizita e parë pas rizgjedhjes si udhëheqës në vendin e tij e presidentit kinez Xi Jinping ishte në Moskë më 20 mars.
Kjo vizitë u ndoq nga afër në të gjitha kryeqytetet e shteteve të botës, veçanërisht në Uashington. Kjo vizitë risolli në mendje pyetjen se çfarë po ndodh në trekëndëshin SHBA-Kinë-Rusi.
Xi kish vizituar Rusinë për herë të fundit në vitin 2019. Takimi i fundit kokë më kokë i dy liderëve Xi Jinping dhe Putin u zhvillua më 4 shkurt 2022, 20 ditë para fillimit të konfliktit në Ukrainë, në hapjen e Lojërave Olimpike të Pekinit.
Vizita e Xi në Moskë vjen pas një rifillimi të marrëdhënieve diplomatike të ndërmjetësuara nga Kina midis Arabisë Saudite dhe Iranit, të cilët kanë luftuar prej kohësh për ndikim në Lindjen e Mesme. Kina gjithashtu kishte paraqitur planin e saj të paqes Ukrainë-Rusi një muaj më parë, konkretisht në fund të shkurtit. Në këtë kontekst, vizita e Xi në Rusi i jep atij dallimin edhe si një lider “paqendërtues”.
Në ditën e parë të vizitës, takimi i mbyllur mes Putinit dhe Xi ka zgjatur rreth 4.5 orë. Negociatat kryesore mes dy vendeve u zhvilluan më 21 mars me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse. Pas dy ditësh takime, Putin dhe Xi nënshkruan dy deklarata të përbashkëta mbi planin për zhvillimin e fushave kryesore të bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e partneritetit strategjik.
Rusia mezi e kish pritur që kjo vizitë të zhvillohej. Ishte vetë Rusia ajo që bëri njoftimin e parë se Xi do të vizitonte Rusinë, por pala kineze për një kohë të gjatë heshti lidhur me këtë vizitë. Kjo tregon se Rusia kupton ethshëm se kjo vizitë më shumë i shërben asaj se Kinës.
Siç shihet nga bisedimet Rusi-Kinë, për shkak të luftës në Ukrainë ka dy probleme kryesore me të cilat po përballet Rusia: vështirësitë konomike dhe vështirësitë ushtarake. Rusia po përpiqet të marrë mbështetje nga Kina në këto çështje.
Ekonomia ruse është në një situatë të vështirë për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura nga Perëndimi.
Kufizimet ndërkombëtare për naftën dhe gazin natyror, të cilat sigurojnë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë vitin e kaluar, kanë rritur më tej rëndësinë e Kinës në sytë e Rusisë. Rusia filloi t’i shesë burimet e saj energjetike Kinës dhe Indisë.
Megjithatë, Kina (dhe India) filluan të blejnë naftë ruse aq sa u nevojitej madje edhe 30% më lirë. Deri në vendosjen e embargos evropiane, çmimi i gazit rus në verën dhe vjeshtën e vitit 2022 ishte rreth dy mijë dollarë. Kina, nga ana tjetër, importonte gaz natyror me 200 dollarë përmes tubacionit të energjisë siberiane.
Në këtë kontekst, Kina nuk mund të ishte një mbështetje alternative për ekonominë e vendit, siç pritej në Rusi. Edhe pse u bënë disa marrëveshje ekonomike mes palëve, Kina preferoi të mbante të kufizuara marrëdhëniet e saj ekonomike me Rusinë. Ajo nuk e pranoi propozimin e Putinit për të nënshkruar një marrëveshje të re gazi.
Megjithatë, Rusia synonte të eksportonte gaz natyror, të cilin nuk mund ta shiste në Evropë, në Kinë. Vendimi i Kinës e bëri edhe më të pasigurt fatin e gazsjellësit Siberian Poëer-2, të cilin Rusia po ndërton për ta eksportuar në Kinë.
Lufta e Ukrainës
Tema e dytë kryesore e takimit Putin-Xi ishte konflikti në Ukrainë. Në Luftën e Ukrainës, deri tani Rusia nuk mundi të arrinte fitoren e dëshiruar. Mbështetja perëndimore për Ukrainën ishte në gjendje të kufizonte përparimin e Rusisë. Zgjatja e luftës reduktoi burimet e Rusisë. Nevoja për mbështetje të huaj është rritur edhe më shumë në mënyrë që Rusia të paktën t’i rezistojë konfliktit e Putin ti shpëtojë turpërimit i cili e komplekson kaq shumë.
Përpara ndërhyrjes në Ukrainë, kur vizitoi Pekinin në shkurt 2022 Putini kërkoi mbështetje nga Kina. Por Kina e la kërkesën e Rusisë pa përgjigje. Duke deklaruar se duhet respektuar integriteti territorial i Ukrainës, Kina i ka treguar se Moskës se nuk është në anën e saj. Plani i paqes, i cili u prezantua për herë të fundit më 24 shkurt për t’i dhënë fund Luftës së Ukrainës, nuk mori mbështetje nga ana e Kremlinit pasi nuk përputhej me qëllimet e Rusisë në Ukrainë.
Pavarësisht kësaj, Rusia ende nuk ka hequr dorë nga shpresa te Kina. Sepse për Rusinë, Lufta e Ukrainës ka dimensione psikologjike, materiale/politike gjeopolitike. Vizita e presidentit kinez la përshtypjen tek opinioni vendas dhe ndërkombëtar se Kina mbështet Moskën. Në këtë kontekst, ndërsa vizita ishte një nxitës moral për mbështetësit e Putinit, ajo u interpretua si një zhvillim negativ për armikun e Rusisë, Ukrainën. Mbas kësaj vizite Janë shtuar shqetësimet se Kina do t’i japë mbështetje konkrete Rusisë. Në fakt, Putin pret mbështetje konkrete nga Xi në lidhje me Ukrainën. Kjo mbështetje do të nënkuptonte mbështetje të fortë për ofensivën e planifikuar, por duket se Kina ka pritshmëri shumë të ndryshme nga Rusia në lidhje me Luftën e Ukrainës.
Strategjia ruse e Kinës
Në aspektin ekonomik, Rusia nuk është një vend që mund të preferohet në raport me Perëndimin për Kinën.Duhet thënë se ndërsa pjesa totale e Perëndimit në tregtinë e jashtme të Kinës është 44%, e Rusisë është vetëm 3%.
Kina, e cila fuqinë e saj ekonomike globale ia detyron marrëdhënieve tregtare me Perëndimin, dëshiron që këto marrëdhënie të vazhdojnë. Pavarësisht Perëndimit, ajo do të qëndrojë edhe larg hapave që do të anashkalojnë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Kina do të dëshirojë më së shumti të përdorë tregun rus për interesat e saj. Mund të mendohet dhe ka arsye se kjo situatë do ta bëjë Rusinë më të varur nga Kina ekonomikisht dhe komercialisht.
Sa i përket Luftës së Ukrainës, interesat e Kinës janë gjithashtu të ndryshme nga ato të Rusisë. Kina nuk mund të bëjë shumë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Gjithashtu edhe vazhdimi i luftës është në shumë mënyra në interes të Kinës, pasi e bën Rusinë më të varur ekonomikisht prej saj.
Së dyti, në këtë proces, SHBA-të e përqendruan vëmendjen e tyre gati plotësishtë në Evropën Lindore, kërcënimi më i madh për NATO-n ishte dhe mbeti në mënyrë gati gati të vetme Rusia. Këto zhvillime gjeopolitike lehtësuan edhe Kinën. Për këtë arsye, plani i paqes që Kina propozoi në shkurt nuk kishte asnjë anë të prekshme, nuk shkoi përtej shenjave të vullnetit të mirë. Prandaj, as Ukraina dhe as Rusia nuk e mbështetën këtë plan. Për Pekinin, iniciativat paqeruajtëse janë vetëm një mjet për të rritur peshën e tij në sytë e komunitetit botëror.
Së treti, Lufta e Ukrainës rezultoi në varfërimin e burimeve ushtarake të Rusisë. Zgjatja e luftës mund ta vendosë Rusinë në një situatë edhe më të vështirë ushtarakisht. Dobësimi i fqinjit verior të Kinës është në interes të Pekinit. Mund të thuhet se dobësimi i Rusisë në mënyrë të pashmangshme do të jetë nën ndikimin e Pekinit me kalimin e kohës.
Në fakt, vizita e Xi në Rusi nuk u bë për të mbështetur Rusinë, por për të parë nga afër varësinë e Rusisë nga vetja. Përveç kësaj, Kina dëshiron të ushtrojë presion mbi Shtetet e Bashkuara përmes marrëdhënieve të saj me Rusinë dhe mbështetjes që mund të ofrojë. Ndërsa Perëndimi ushtron presion mbi Kinën, Pekini po dërgon mesazhin se mund të afrohet më shumë me Moskën. Me fjalë të tjera, Kina e sheh Rusinë jo si një partner të barabartë strategjik (jo aleat), por si një atu (letër bixhozi që fiton mbi të tjerat) në marrëdhëniet e saj me Perëndimin.
Shqetësimet e SHBA-ve.
SHBA kundërshton afrimin kino-rus për arsye qartas gjeopolitike. Ajo gjithashtu e sheh ndikimin e Kinës në Rusi po aq negativisht. Është gjithashtu e shqetësuar se nga vizita e Xi do të përfitojë në mënyrë të ngjashme si Kina dhe Rusia.
U komentuan se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për arrestimin e Putinit më 17 mars kishte për qëllim pengimin e vizitës së Xi në Rusi. Kreu i partisë opozitare ruse Yabloko, Grigoriy Yavlinskiy, tërhoqi vëmendjen se ky vendim përkoi me vizitën e Xi në Moskë.
Shtetet e Bashkuara ishin jashtëzakonisht të shqetësuara nga plani i paqes i Pekinit për zgjidhjen e Luftës së Ukrainës. SHBA nuk donte që ai plan të diskutohej gjatë vizitës së Xi në Moskë. Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Kina të dënojë Rusinë në lidhje me Luftën e Ukrainës, por Kina jo vetëm që nuk e dënon por preferon të qëndrojë neutrale.
Por megjithëse Kina përfitoi nga sanksionet kundër Rusisë, ajo edhe lehtësoi mbijetesën e ekonomisë ruse, e cila u prek nga këto sanksione. Ajo pakësoi ndikimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Edhe pse është situata, kjo marrëdhënie shqetëson Uashingtonin sepse qëllimi i SHBA-së është të ndikojë në vendimet e Putinit përmes sanksioneve gjë të cilën Kina e kupton dhe bën që kushtëzuesi kryesor i Rusisë të jetë vetë ajo.
A do t’i japë Kina armë Rusisë?
Në kontekstin e Luftës së Ukrainës, një nga çështjet më shqetësuese për Shtetet e Bashkuara është mundësia e ndihmës me armë e Kinës për Rusinë. SHBA paralajmëroi Kinën për këtë. Ukraina, nga ana tjetër, tha se nuk kishte asnjë informacion nga inteliigjenca se armë të prodhuara në kinë ishin në fushën e betejës.
Duke kritikuar Kinën, SHBA po përpiqet të ushtrojë presion mbi Pekinin dhe ta mbajë atë larg Rusisë veçanërisht në mundësitë e furnizimit me armë. Nga ana tjetër, Kina po bën llogaritë për t’i përdorur marrëdhëniet me Rusinë kundër SHBA-së në kriza të mundshme.
Si rezultat, vizita e Xi në Moskë ishte për të rritur ndikimin e Kinës mbi Rusinë në afat të mesëm dhe për ta përdorur këtë ndikim në negociatat e saj me Shtetet e Bashkuara. Edhe Rusia donte ta shfrytëzonte këtë vizitë për përfitimin e saj për të thënë se nuk jam vetëm e për të marrë ekonomikisht çfarë të mundet.
Duket se Rusia e vetme në arenën ndërkombëtare po bëhet më e varur nga Kina. Kina, nga ana tjetër, po përpiqet ta përdorë këtë mundësi me shumë kujdes dhe maturi. Rusia po lufton për të marrë mbështetjen e Kinës. Mbështetja e Kinës për Rusinë bëhet e varur nga marrëdhëniet SHBA-Kinë. Nuk është më e lehtë të argumentohet se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Kinës po përparojnë në një mënyrë që kontribuon në paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.