Vjen që nga e thëna-Bilbil Murataj


fabul

Për mushkën xanxare

Çfarë nuk është thënë,

Të qëllon me shkelma

Dhe të ha me dhëmbë

Çfarë nuk thonë tjetër,

Se e meriton

Dhe fare ta vrasësh,

Zakonin s’e harron

Diçka tjetër thonë

Për pelën punëtore,

Se me kaun ka patur

Një lidhje jashtëmartesore …

Kështu vjen nga e thëna,

Fjala bie fjalë,

Më mirë të të dalë syri,

Se nami të të dalë …

Këto vargje duken

Pak të ngatërruar,

Dikujt kohë i duhet

Dhe për t’i kuptuar

Si mushka dhe pela

Dhe delja me dhinë,

Shumë kohë më parë

E kanë historinë

Mushka plot me huqe,

Pela përgojuar me kanë,

Delja bishtin poshtë,

Dhija lart e mban …

E, që thoni ju,

Muhabetit t’i vëmë kokë,

Kështu janë ca tipa

Në këtë dreq botë

Vetë i ka mbytur llumi,

Se nga llumi vijnë,

Gjithë jetën e tjetrit

Kërkojnë ta nxijnë …