Vjeshta e zinxhirëve


Vaso Papaj

Ajo vjeshtë kish lidhur zinxhirë të rëndë,
Desh të më lidhte dhe mua.
Një tesër të mirrja, s’e pashë kurrë me vend,
Fundja, tesera nuk ishte një grua.

Ma shpërndau mjegullën herët, mëngjes,
Në aeroportin e Pragës.
Ma ngujoi për jetë studentin në shesh,
Tek digjej e mbytej mes flakës.

Më bëri të mirrja më të madhin vendim,
Tanket me vesë t’i urrej.
Tanket e verbër nga i largëti dimërim,
Mos të shkelnin kurrë dhè këtej.

S’do të merrja kurrë një tesër partie,
Nga ajo që lirinë kishte vrarë.
Kur vjeshta mbërtheu zinxhirë robërie
Dhe vendin e futi në varr.

About Post Author