VJESHTË E LODHUR


Petro Sota

E dua vjeshtën, siç kam dashur një grua
Lozanjare e qeshur, shpirtin ma këputi,
Ajo vetëm njëherë më tha të dua
Por ishte e ëmbël, më e ëmbël se fruti.

E trishtë kjo vjeshta, me pak ndryshim
Ndryshime, që duken ndoshta më rrallë,
Hynë fshehtas, pa trokitur në shpirtin tim
Por kjo fshehja e saj, më bëhet si mall.

Një grua krenare, vjeshta më kujtonte,
Tek ecte mbi taka, trotuarit me nxitim,
Në atë nxitim, bashkë me të vraponte
Një mall që brënda, kishte pak trishtim.

Si e papritur më duk, që vjeshta arriti
Nuk e prisja të vinte kështu tek mua,
Tek mbasditja, më shpejt mbrëmja zbriti
Dhe dita për çudi, ngadalë u zvogëlua.

Plazhet u boshatisën, kafet gjithashtu
S’ka më psherëtima në bregun e qetë,
Por pikëllimi i valëve, duket që këtu
Nga bregu i detit që është si i shkretë.

Si diçka e çuditshme, m’u duk këtë herë
Por në trurin tim, diçka paska ndodhur,
Se përherë vjeshta, m’ka trokitur në derë
Por sivjet më duket, si vjeshtë e lodhur.

Petro Sota 6 shtator 2021

About Post Author