ANTIPODË
Ka gjëra që harrohen shpejt:
Si qefmbetjet, zënkat, mëria,
Shtegtojnë diku si shpend
E nuk qasen tek vetmija.
Ka gjëra që mbeten përjetë:
Dhimbjet, malli,dashuria,
Si një vendstrehim i vërtetë,
Ku nuk hyn dot lakmija.
Ka njerëz që i mbajnë të gjitha
Në një qoshk ku vdes varfëria,
E shpirti lexon veç qiejt
Të zgjidhë në to enigma.
16 Majë 2020
KUR KUAJT PIN UJË
Dridhen në syprinën e liqenit
Jelet e rëna,
Me krëhër të argjentë
Ja krihte hëna.
Nga frikë e hijes kuajt
Pinë ujë të djersitur
Me jelet ngritur,
Lart të shpupurisur.
1966
DËGJOVA Ta Ta Tanë
Dëgjova ta ta tanë
E bariut mjeshtër,
Gjeta fëmijërinë
Në zemrën e trishtë
Të pleqërisë.
LYPSARI
Nën talljet e manikineve,
Bashkë me një qen rrugaç,
Dielli leckat e trupit ia thau;
Thurur mes zheleve,
Me zërin e shpirtit,
Nër mërmërimat e diellit:
“Kush zantë diellin,
E zantë buka e shpirtit”*
Me orën diellore lypsari lëviz
Nga një rreze e pakët
Në tjetrën me shumë ngrohtësi;
Me lutjen e përditëshme si qeni
Nër mërmërima nga fundshpirti:
“Kush zantë diellin
E zantë buka e shpirtit”
Nën manikinë,
Nën dritare
Një jetë njerëzore lëviz
Shpirtin zvarrit;
Një fëmijë i mjerë
Lënë rrugëve pa gjind.
* varg popullorë
