Vladimir Muça:Magjia e lumit



Magjia e lumit
Çfarë qoshk i bukur
Në shtjellën e Erzenit.
Në mbrëmjen e vagët,
Në vorbullat e ujit
Lexoj gjithçka që quhet poezi.
Aty energjia e vjelur,
Në një agim kuqalosh
Nderur zgjon mëngjesin plot freski.

Tek vau i Çaponëve,
Mbi syprinën e ujit,
Refleks i kregzave bregut të shtuftë,
Ndenjur me mua,
Symbyllur në një bashkësi,
Teksa mendimet rrymojnë valës
Me shkulme shpirti
Si në rini.

Asnjë vend si këtu,
Si nëpër këtë lumë,
Ku çdo histori shndrohet në magji,
Nuk më josh më shumë,
Më ngop me poezi.
Vau Çaponit 2017

NË ZEMRËN TIME
Unë një emigrant
Pa lirinë e qenies time,
Një lundër në oqeanin e botës.

Larg truallit amë,
Prekur nga zamkë e pështymës,
Kalimëve dredha dredha të shtigjeve;
Mes një frike në kacavirrej,
Zvarrë më tërheq mendimi
Me rëndesën e gurit të vendlindjes,
Hapave trandur nga zhgënjimi.

Ai qoshk ujëvarë ku mrizojnë dëshirat
Lidhur m’a mban zemrën time;
Kur hap tjetër shtëpi,
Çfarë transmetimi nër vite!…
Të rënda kanatat e burgut arrati,
Shtëpia ku linda,
Shoqëria ime
Më rikthehet
Si një perri.
Manjagua Dhjetor 2018

METAFORA E LUMEJVE
Në vendin tim ka lumenj
“Kokëfortë”që rrymojnë plot zhurmë,
Nuk bashkohen kurrë
Gjersa treten në det
E mes valëve bëhen shpurë;
Turbullojnë valën si të marrë,
Në deltë janë zotër,
Dhe kur rrjedhin imcakë
Nën qiellin djega gurë.
Por ka dhe lumenj
Që mbytin njeri tjetrin,
Grinden mes valësh
Me ëndrra zaptuesish
Gjer në horizontin e deltës,
Humbur në rrjedhë vetëveten.
Do ish më mirë të mos ishte ky lumë
Pa rrjedhën vetanake të të burimit,
Pa zemrën gulçuese të vërshimit,
Pa aluvionet e shtratit të tijë,
Do ish më mirë
Më mirë do ish
Të mos tretej si qiri
Në tjetër rrymë,
Por të rrymonte
Në të veten liri.
Bureto skela e lumit Po 2017 

About Post Author