Vlorës së Flamurit-Kozeta Zylo


Kozeta Zylo

Vlorë e bukur monument,
Aty falet gjithë Shqipëria,
Nëpër palët e Flamurit,
I ushqen rrënjët Liria.

Nëpër dallgë petale kaltra,
Vlora, Vlora, ushton sheshi!
Sirenë malli, vjen nga deti,
Përndez zemrat me gjak mbreti!

Ma hedh Diellin përmbi supe,
Dhe më deh-o me musht kënge,
Zjarrin që djeg brenda gjoksit,
Ma shuan vetëm labçja tënde!

Zëri tënd Is Boletini,
Sjellë Kosovën, palcë burri,
Çamëria, drithërimë kohe,
Që skuq detin nga Flamuri!

Do të marr një fjongo Dielli,
Që t’ja lidhë foshnjës në djep,
Dritë t’i bej botës ku jemi,
Det dhe Vlorë cep më cep.

Tek shetis baladës Bregut,
Vajzë e valëve prêt tek Gjiri,
Vlorë e bukur, digjem mallit,
Princeshë me kurorë ulliri!

Nëpër male borëruar,
S’ta zunë dot hisen e diellit,
Nga ballkoni i Ismail Qemalit,
Shoh Flamurin në kupë të qiellit!

Washington, 25 Nëntor 2008