Vojsava Nelo-Poezi


Vojsava Nelo

  · 

Hera-herës më duket se eci para,

me vështrimin pas…

S’di ku më ka mbetur ndonjë peng?!

S’di ku më ka mbetur ndonjë çast?!

25 Nentor, 2022.

******

MAHNITJA IME E KAHHERSHME

Atëherë,

në adoleshencën time të largët,

as më kishte shkuar nëpër mend se një ditë,

kur do të merrja udhët e jetës,

në çdonjerën prej tyre do të feksje ti,

mahnitja ime e kahhershme!

Atëhere,

në adoleshencën time,

shkrirë në një imazh,

shkrirë në një lidhje që duket si e përjetshme,

Ti,

mahnitja ime e kahhershme!

NJË TUFË ME TË PUTHURA

Ishte një muzg i kaltër.

Ishte një mbrëmje e qetë.

Kur erdhi puthja jote,

e mbeti aty, përjetë.

Muzgu sapo kishte rënë.

Yjet, ende pa dalë.

Unë u struka në gjirin tënd,

dhe ti më dhe puthjen e parë.

* * *

Si mund të ishte aq e bukur?!

Si mund të ishte aq jetëgjatë?!

Si një shkëlqim i fortë në shpirt.

Si një çast i artë.

Ajo puthje e zjarrtë!

Ajo puthje. Ajo mbrëmje,

që u mbush me yje dalëngadalë…

Unë mbështetur në gjoksin tënd,

goditur nga puthja e parë.

* * *

Si mund të ishte aq e bukur?!

Si mund të ishte aq jetëgjatë?!

Pastaj, një tufë me të puthura,

ndënë një qiell prush me yje të zjarrtë.

O NDJENJË E VJETËR!

Natë e qetë. Tinguj të ëmbël.

Shpirt I vrarë.

Një melodi, si ndjenjë e vjetër,

që vjen vërdallë.

Një ndjenjë e vjetër,

që është zhytur thellë në shpirt,

brenda në gji.

Sa më sheh vetëm, më vjen pranë

dhe më copton me ëmbëlsi.

* * *

O ndjenjë e vjetër! O natë e qetë!

O kohë,

që nuk vjen më në këtë jetë.

Nuk plakesh kurrë. E kurrë nuk vdes.

Po aq e bukur, po aq e freskët

më vjen vërdallë.

Nata përjashta është e qetë.

Asgjë nuk ndihet, nuk pipëtin.

Veçse një shpirt, një shpirt i vrarë.

Loti i tij thyen qetësinë.

MBAJ MEND…

E lamë të takohemi në muzg.

Dhe nëpër muzg ecëm,

me hapa të ngadaltë,

si dy të dashuruar,

folëm, lozëm, qeshëm.

Ti më the ca fjalë.

Ne thamë ca fjalë,

që s’i kam harruar kurrë,

edhe pse më pas, me mijëra thamë.

Mbaj mend, se si ndizej e përflakej

muzgu dhe unë

nga ato fjalë,

që u gdhendën në mendjen time

sëbashku me puthjen e parë..

* * *

Sa herë jam vetëm dhe kam ftohtë, dhe kam frikë,

eci nëpër atë muzg të largët,

mbushur me lumturi dhe me dritë.

PUHIZA QË FRYN

Puhiza hyn nëpër gjeth e gjethi nis e fërfërin,

duke drithëruar përbrenda mallin e vjetër,

atë mallin tim!

Vjen dhe e rizgjon kjo puhizë.

Si një shpirt i gjallë që mund të prekë gjithçka.

E gjithçka mund ta lëvizë.

Kjo puhizë.

Kjo puhizë që vjen e drithëron thellë shpirtin tim,

dhe mallit tim të vjetër

i jep jetë.

I jep frymë.

* * *

Oh, kjo puhizë që fryn!

Oh, malli, malli im!

Poezite janë shkëputur nga libri im i ri me poezi te reja “NJE TUFË ME PUTHJE”, (lirika per dashurinë), 2022. GEZUAR!

About Post Author