Vullnet Mato-NORA, NË BARRIKADAT E KELMENDIT


Vullnet Mato

NORA, NË BARRIKADAT E KELMENDIT

Qielli i Kelmendit, ra nga sqepi i një shqiponje,
me mbresa luftërash, nga pushka dhe shpata.
Nora luaneshë, me xhokën kuqezi prej zonje,
zbriti nga yjet xixëllues, shkëndijuar nga nata.

Kambanat e kishave, të maleve kreshnike,
një copë herë të gjatë, jehuan madhërisht,
në nderim të trimëreshave, grave heroike,
dhe shpalosën faqe historie, ylberet e malësisë.

Aty Nora, me kokën e një pashai, në dorë,
u bëri me dije reve, që shkonin qiellit tutje:
U thoni agresorëve, kjo tokë, me malësorë,
s’lë asnjë pëllëmbë, nën këmbët e ujqërve!

Këtu është xhungla e alpeve të pafjetur,
me shumë tigra, leopardë, pantera, jaguarë,
me luanesha, që u marrim gjak në vetull,
kokën ujqërve, ua heqim ende pa i vrarë…

Bashkë me tinguj kambanash, këtë natë,
ranë si breshër, kokat nga Urali zbritur,
ranë si kokrrat, në një arë me bostanë.
Mua krenaria, më gufoi gjoksin papritur.

Ah, sa e bukur je, moj heroina ime, Norë,
me atë vdekje të pashuar, që më ke në sy!
Lum kush shpatën tënde, merr në dorë,
të bëhet përjetësisht, e pavdekshme si ty!

About Post Author