Vullnet Mato:Një roman, plot jetë njerëzish të mirë


HYRI NË SHTYP ROMANI AUTENTIK, I AUTORES SHEQERE SINA OZUNI, ME TITULL “NGA SHEBENIKU NË MYZEQE” ME REDAKTIM, PARATHENIE, E KOPERTINË, NGA SHKRIMTARI VULLNET MATO DHE VIHET NË QARKULLM BRENDA JAVËS.

NJË ROMAN, PLOT JETË NJERËZISH TË MIRË

Pas katër botimeve me poezi, autorja e talentuar Sheqere Sina Ozuni, ka shkruar një roman, që të befason, me një numër pafund ngjarjesh tepër interesante. Nuk mund të shkruaj roman tërheqës, dikush që bën një jetë të mbyllur, në mjedise luksoze, me kushte maksimale jetese, mes qejfesh dhe argëtimesh pambarim. Kjo autore e lindur në një hapësirë të ashpër malore, të fshatit të thellë të zonës librazhdase të Shebenikut, në kohë relativisht të rëndë, gati gjysmë shekullore, sjell në këtë libër voluminoz, një jetë të ngjeshur me skena të pa imagjinuara dhe krejt origjinale.

Nga lindja e saj, në një mjedis zakonesh patriarkale, me shtypjen e personalitetit femëror, për të mos njohur dashurinë e vërtetë, por vetëm ngarkesën kafshërore në shpinë. Ku gratë edhe gjatë lëvizjeve të ngarkuara nëpër shkrepa, ëndërrojnë të ardhmen e martesës nga shkesi, duke mos hequr nga qafa fijen e thurjes së pajës dhe të çorapeve të fëmijëve.

Kjo autore përshkruan me saktësi të habitshme, gati filmike, vuajtjet e një vajze të kohës së diktaturës, kur ajo dridhej nga frika prindërore, të dashuronte njeriun e zemrës. Por edhe kur arrin të arratiset bashkë me të në Myzeqe, ai del i pabesë, duke e tradhtuar me një femër tjetër. Pas torturave të këtij njeriu dhe ndarjes prej tij, një varg i madh skenash të mundimshme e presin, atë cucë malësore, të mbetur në rrugë, me foshnjën në krahë dhe pa shtëpi.

Për t’u ngritur sërish nga jeta e vetmuar ku ndodhet, Zanës guximtare, i duhet të durojë opinionin përbuzës, derisa të gjejë njeriun shpirtmirë, që e mbështet bashkë me fëmijën e saj. Por për të rindërtuar jetën familjare, më ndershmëri dhe pune sfilitëse, në kushtet e egra, të sistemit të rrumpallës kapitaliste, që u krijua në vitet e para post diktatoriale, me garën e shfrenuar për të siguruar mbijetesën, ajo grua trime dërrmohet shpirtërisht. Bashkë me Fanin e vajtur e pafat, ata bëjnë të pamundurën në jetë, për gjetur një copë strehë, ku mund të hanë bukën e hidhur të punëve të rënda.

Se si shtojnë fëmijët, si i rritin, si ndërtojnë një strehë shtëpiake prej kashte, në rrethinat e Lushnjës, e si e rimarrin veten në kushtet pas plumbave të vitit të mbrapsht të ’97-ës, është një mrekulli e vërtetë. Është një metamorfozë e çuditshme njerëzore, që krijojnë ata dy njerëz të lidhur shpirtërisht, me një vendosmëri pune demoniake, me pengesa të panumërta, në çdo hap të jetës.

Një mori personazhesh, që nga fshati në malësi, deri në mjediset e punëve të zymta në fushën myzeqare, njerëz të mirë e shpirtligj, lëvrijnë në këtë roman të madh autentik. Figura të përshkruara, gati si të pikturuara me penel piktoreje nga kjo autore, shpalosen me një kujtesë të përkryer, ku nuk bën pjesë fare trillimi letrar, por vetëm realiteti myzeqar.

Zana malësore, ka tashmë në shpirt një bagazh të madh peripecish nga jeta, dhe një dashuri të pakufishme, për vajzën e saj të shtrenjtë Besën, që e ka rilindur shpirtërisht, për djemtë Albanin dhe Sokolin, si dhe për dhëndrin e vajzës, Ardin, për t’i derdhur në poezi vuajtjet e saj. Dhe së fundi për t’i ngritur një monument romanesk, jetës së saj, bashkë me fëmijët dhe me Fanin e vet.

Lexuesit, që do të kenë mundësinë të shfletojnë këtë roman, të shkruar me gjuhë ndjenjash të holla emocionale, do të gjejnë aty ose veten në ato kushte kohore, ose njerëzit e njohur prej tyre, të përgjithësuar realisht në këtë vepër.

Vullnet Mato – shkrimtar,“Personalitet i Shquar”