Vullnet Mato:Puthja e rrëmbyer


Vullnet Mato

Puthja e rrëmbyer

Nga dritarja e kabinës, ku isha duke përgatitur filmin nëpër bobina, pikasa fustanin me trëndafila të Marjanës që fërfëlloi në diell.
Zbrita rrëmbyeshëm dhe i rashë ndërtesës së kinemasë përqark, duke shpejtuar anës ujit në drejtim të saj. E vendosur në terren të pjerrët, kinemaja e sharrëtarëve ishte niveluar nga ana e poshtme me shtylla të shumta. Kur e shihje nga ajo anë, ndërtesa dukej si një qenie fantastike shumëkëmbëshe e zbritur për të pirë ujë te jazi i mullirit. Ujërat e jazit, duke u stërpikur nga rrezet e diellit, që u shpëtonin fletëve të arrave gjatë shushurimës, krijonin në orët e mesditës ca reflekse që të merrnin sytë. Prita prej thuprash shelgu në grykën e mullirit, i bënte ujërat të fashiteshin në qetësi dhe krijonte një pellg të gjerë, të ndritshëm. Pikërisht te ky pellg, nën tendën e gjelbër të pemëve në cep të kinemasë, gratë shpëlanin rrobat pasi i kishin sapunisur në shtëpi.
Ndoshta nga ritmi i çrregullt me të cilin filloi të më punonte zemra, shumë nga fjalët, që kisha përgatitur, po i rrëzoja nga mendja, si ato kokrrat e papjekura kur i zë stuhia. Rasti kërkonte të tregohesha i matur dhe të justifikoja vajtjen. Ndryshe kishte rrezik të thyhesha që në fjalën e parë. Sepse duke qenë vetëm, ajo do të më largonte patjetër për të mos rënë në sy.
Ngadalësova hapin dhe me sytë lëshuar nga përroi nisa të fërshëlleja një motiv. Duke u përpjekur të dukesha i shkujdesur. Gjoja s’e kisha mendjen fare dhe po takohesha me të rastësisht.
– Ou, si dukesh, moj Marjana?…
Ajo ngriti kokën qetësisht, duke e shoqëruar me një nënqeshje të lehtë. Sikur ta dinte fare mirë që isha nisur pikërisht për tek ajo.
– Mirë, po ti? – ma ktheu në mënyrë shpotitëse dhe për çudi më vështroi aq ngulmët, saqë shkëlqimi i rrallë i syve të saj të kaltër, më magjepsi dhe më trullosi.
– Unë s’jam mirë hiç. Bile jam shumë keq… – i thashë gati me rënkim.
– Pse, çfarë ke ti? – u habit ajo.
– Kam gjetur belanë me sytë e mi…
– Nuk sheh mirë ?
– Jo, më thonë, duam të shohim vetëm sytë e Marjanës. U them, s’ua plotësoj dot dëshirën, se s’kam ku t’i gjej sytë e saj gjithmonë. Më thonë, gjeji ku të duash, se ne nuk rrimë dot pa parë ata sy. U them, po unë s’mund t’i dal Marjanës përpara në mes të rrugës e t’i them, prit pak sa të kënaqen sytë e mi. Dhe veç kësaj, sytë e saj nuk duan t’i shihni ju. Po sytë e mi më thonë, pse të mos dojë, ne nuk kërkojmë ndonjë gjë të madhe nga sytë e saj, vetëm sa të çmallemi me liqenet e kaltër. U them, liqenet e saj e kanë shumë bezdi që ju të pllaquriteni në ujërat e tyre. Atëherë sytë e mi zemërohen rëndë me mua e me thonë: për inatin tënd ne nuk mbyllemi gjithë natën e nuk të lëmë të flesh asnjëherë. Ja, kështu, moj Marjana, sytë e mi nuk po më binden fare, janë bërë arrogant në kulm me mua. Prandaj jam katandisur keq e më keq e më vuan shpirti shumë…
Teksa po më ndiqte gojëhapur dhe me sy të shajnitur, tejet e befasuar nga ato fjalë të tërthorta, ajo ma ktheu me qesëndi duke gazmuar lehtë:
– Je i vetmi për fjalë të bukura, e me sa më ke thënë deri tani, kam kuptuar se unë paskam ardhur këtu vetëm për belanë tënde. Po thuaju atyre syve të tu të harbuar, të durojnë edhe pak sa të afrohet shtatori të shkoj në qytetin tim, se pastaj do bien rehat. – tha për të më hequr qafe.
M’u duk sikur më nguli në gjoks një shigjetë të helmuar.
– Mos ardhtë kurrë ajo ditë e zezë! Se atëherë ata do qorrohen fare e do mbetem pa sy… – i thashë me ngut.
Së fundi u duk fare qartë, se ajo po kundërshtonte në mënyrë të vendosur t’u përgjigjej ndjenjave të mia, duke ma prerë shumë herë vrullin e fjalëve si me thikë. Dhe në vazhdën e bishtnimeve të përsëritura, m’u duk se tashmë radha e fjalëve kishte mbaruar. Ndaj dhe bëra një hap më pranë saj.
Por nga mënyra e beftë, se si i hapi sytë e ngulur mbi mua, me një vështrim plot dyshim, dukej se ajo parandjeu diçka. Për një çast m’u duk sikur ia dallova frikën që i lexohej në ata sy aq shprehës. Ndaj e humba krejt toruan dhe mbeta i nemitur. Nuk po e kapja dot fillin më tej dhe kapërdiva pështymën me zor. Nga përroi vinte një afsh i freskët, që ma përshkonte gjithë qenien. Muzgu plot nuanca, që krijohej nga filtrimi i asaj drite aq rrëqethëse, sikur ma ftohi krejt trupin.
Kur pa që kisha heshtur ashtu i hutuar, ajo u turbullua në fytyrë. Vështroi një grimë e shqetësuar, pastaj futi duart thellë në ujë dhe nxitoi shpëlarjen. Flokët ia mbuluan krejt fytyrën dhe m’u duk sikur trupi i saj lozonjar ra në një qetësi pritjeje.
Sakaq, aty ndanë gurgullimës së zhurmshme edhe mendja ime filloi të gumëzhinte nga tronditja. Kuptova se heshtja ime po bëhej shqetësuese për të. Ndaj atë moment u mata të ikja siç kisha shkuar. Mirëpo kurrsesi nuk duhej ta humbisja atë rast për t’u ndjerë më pas buzëplasur. Befas vendimi i rizgjuar ma përshkoi trurin tejpërtej. Atë çast të rrahurat e zemrës dhe pulset e gjakut në deje më ndryshuan papritur. Në grimasën e një sekonde, ia mbërtheva kokën fort me të dy duart dhe ia ktheva nga ana ime. Me një shprehje të çuditshme habie në fytyrë, ajo i zgjeroi kornizat e syve të mëdhenj tej masës dhe më vërejti me llahtarë krejt e çmeritur.
– Oh, Marjana, o shpirt, po më çmende, moj ! – pëshpërita dhe e putha në buzët e njomështitura me një afsh vërtetë prej të çmenduri.
Ishte një puthje e egër, e përzier me fijet e flokëve mes buzëve.
Si duket Marjana qe mjaft e hutuar, sepse nuk bëri as lëvizjen më të vogël kundërshtuese. Po kur e lëshova, vura re në fytyrën e saj të errur, se veprimi im e kishte pezmatuar mjaft rëndë.
Ajo vërejti përqark e trembur dhe kapërdiu një psherëtimë. Pastaj më shigjetoi një grimë në bebëzat e syve, me një vështrim keqardhës të rreptë, duke dihatur rrëmbyer. Buzët i dridheshin si në jerm dhe të kuqtë që i dallohej në faqe i mbuloi fytyrën deri te qafa.
M’u duk sikur e gjithë pamja e saj foli pa zë: ’’Si ma bëre ti këtë poshtërsi” Prisja një pëllëmbë, po s’dihet pse nuk ma dha.
Mblodhi me nxitim teshat e shpëlara, i hodhi mbi të tjerat në kanistër dhe vrapoi vrulltas, si e çliruar prej një ankthi.
Mbeta si i drunjëzuar, me vështrimin të humbur diku në boshësi, krejt si idiot. Ndërkohë mendimet e mia zunë tani të rrokulliseshin nëpër zhurmën buçitëse të mullirit, të cilën pak më parë nuk e kisha ndjerë.
Në sytë e mi ajo ishte aq hyjnore dhe aq e pastër, sa mjaftoi vetëm ai shpërdorim i rastit, të më bënte të mendoja, se me puthjen time të përdhunshme e kisha zhyer. I penduar për pasionin tim të rrëmbyer arsyetova gjatë se si mund të kisha vepruar ndryshe në atë rastësi aq të bukur. U bëra gjykatës i vetvetes në emër të asaj drejtësie që mbron njerëzit e ndershëm dhe quhet ndërgjegje. Por të gjitha gjykimet më nxorën të pafajshëm. Që ta doja marrëzisht dhe të më donte siç kërkoja prej saj, ishte e pamundur ta afroja sorkadhen time për ta zbutur, pa e përkëdhelur. Qoftë edhe një çast të vetëm. Fundja, nuk kishte aspak të drejtë ta krahasonte puthjen time me efektin e një arme të ftohtë, që u frikësua aq shumë. Kur ajo puthje nuk ishte veçse një shprehje e dashurisë së nxehtë. Dhe dola në këtë përfundim të heshtur, vetëm pas vetëgjykimit të gjatë me arsye krejt të pastër.
Mirëpo pas asaj që ndodhi, desha ta shoh edhe një herë patjetër, për të kuptuar reagimin e saj të mëtejshëm. Por dy-tri net Marjana nuk erdhi më në kinema.
Gjatë gjithë atyre ditëve përjetova pozicionin statik të një shtylle të ngulur te dritarja e dhomës përballë saj. I luajta në fizarmonikë shumë herë pjesët që i pëlqyen te pylli. Por ajo nuk u shfaq asnjëherë te korniza e dritares së vet, që, për sytë e mi, i ngjante aq shumë atij shtegut të malit ku lindte dielli.
Dhe moslindja e diellit tim, bëri që dita ime të bëhej natë dhe nata ditë pagjumësie.

About Post Author