Xhahid Bushati :Pse nuk u dekorua shkrimtari Skënder Drini?!


Marre nga Facebook

Pak ditë më parë Presidenti i Republikës dekoroi 17 sportistë e artistë së bashku. Duke i respektuar të dekoruarit, m’u kujtua se shumë kohë më parë mbi tavolinën e Presidentit ishte dhe është edhe emri i nderuar i shkrimtarit Skënder Drini. Bile, letra motivuese për t’u dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” është firmosur nga ministrja Elva Margariti. Ende nuk e di, pse nuk janë kujtuar për këtë emër?! Pse është “harruar ky emër i vlefshëm e intelektual i vërtetë?!”

Sa për dijeni, po ritregojmë disa nga vlerat e tij, si: -Tash 30 vjet në Shkodrën time nuk ka ende shkrimtar që i ofrohet vlerave dhe arritjeve të krijimtarisë së Skënderit ., – Kontributi i tij romanesk e tregimtar ka vlera të tilla sa është njëri nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë sonë shqipe. Vazhdon të mbetet ende një i tillë. Nuk është mëkat e herezi, kur sjellë vlera që i ndritin fytyrën letërsisë shqipe, të jetosh në periferi letrare., – Skënder Drini mbarte në vetvete krahas një zemre të madhe edhe një kulturë shumë dimensionale. Ai fliste në disa gjuhë të huaja., – Besoj lexuesi i apasionuar pas letërsisë i kujton veprat e tij, si: “Shembja e idhujve”, “Tanush Martini”, “Nata është grua”, “Kthim në vetvete”, “Parajsa e gjenive”…. dhe së fundi “Testamenti”.

Nuk më vjen çudi, se Shkodra ime, që e ka kapluar proviancialiteti, ka më shumë se 30 vjet që ha shpulla, autoshpulla dhe mbart me vete në këtë rrugëtim edhe indiferencën e shumë intelektualëve që e jetojnë jetën e profesionin me shprehjen “ç’më duhet mua?!” Indiferencën e intelektualëve e ka pasqyruar mjeshtërisht Ernest Koliqi në prozën e tij, ndaj unë nuk mund të them më tepër.

Teksa po shkruaj këto rreshta për mikun tim të vyer e të paharruar me një krijimtari të vyer e gjurmëlënëse, m’ua kujtua proza e magjishme e Migjenit, ajo me titull: “Prapa gardhit nuk ka asgja të re”.

Shkodër, më, 23.01.2022 ( Xhahid Bushati )

About Post Author