Xhahid Bushati:Blloku…


Xhahid Bushati

B l l o k u…

Po kërkoja një libër në bibliotekën time. E doja për referencë të një studimi. Teksa prekja librat radhë-radhë, papritur, aty, mes tyre rrinte “i fshehur” një bllok. U çudita. E pashë me vëmendje disa herë. Dukej i vjetër. E mora në duar. Nisa “të komunikoj” me të… Nuk dija sa vite kishte qëndruar, ashtu “i fshehur”? Gjithashtu, nuk dija se kush e kishte shkruar?.. Kur e hapa dhe nisa ta lexoj, kuptova gjithçka… Autori i këtij Blloku ishte babai im, Hysni Bushati, dhe ishte shkruar 97 vjet më parë.

Ky Bllok që “u zgjua” rastësisht, dhe qëndron në duart e mia si relike e çmuar, vjen në një kohë si një dëshmi e pakët të arkivës jetësore të Babait, si trashëgimi. Ky Bllok vjen si një kujtim i çmuar, si mall i pashuar, si dhimbje, si lot, si… “Mirë se erdhe Bllok i munguar në jetën time!” Falenderoj Zotin, që, sigurisht Nëna ime e ka ruajtur me dashuri Nëne! Pastë bekimet e mia pafundësisht!..

Po çfarë “sekretesh” ruan Blloku?..

E shfletoj… Në faqen e parë lexoj: “Per Dhematja (dije). Nxanës i Medrezes së re Hysni Bushati, Rend’i I-rë parë; Shkodër 17.XII.1926 deri më 30.VI.1926; Mësuesi Ragip Hoxha.

E shfletoj… Libri përmban shënime si këto: Gjeometrija sipërfaqja; Vijat, Syperfaqja, Skutat, Gradë, Treskajshat, Kater – ballshat, Fund Shkoder me 6-VII-926.

E shfletoj… Fillon kapitulli: Nxanës i Medreze se re, Rend’i II-të; Shkoder 10-VII- 1926 deri me 1927; Mësuesi Ragip Hoxha.

Përmbajtja: Mesime Gjeometrije Dijeni fillore; Vijat, Siperfaqet, Skutë, Rethi e Krotlla, Ushtrime praktike (Vegla gjeometrike e rravizime), Shum skajshat (poliganet), Treskajshat, Rrethi rrotlla, Elipsa…

Ky Bllok që deri-diku ka ruajtur ngjyrën e diku jo, që mbart copëza shënimesh, përkon me një moment të jetës së Babait tim kur ai ishte nxënës. Ky Bllok ma sjellë të gjallë fëmijërinë e Babait tim, me shënimet e sakta, me kaligrafinë e bukur, me ilustrimet përkatëse, me kujdesin për Lëndën e Gjeometrisë. Ky Bllok është dhe mbetet një model për mua, sesi duhet të kesh marrëdhënie me lëndët mësimore, t’i duash ato dhe të zgjerosh njohuritë. Edhe pse ka ndërruar jetë 56-vjet më parë në moshën 55-vjeçare, Babai vazhdon të më japë këshilla e urtësi, të më mësojë e të më japë edukatë.

Ky Bllok më fali edhe të papriturën e bukur: – Brenda faqeve të tij ishte dhe fotoja e Babait tim, një foto që koha nuk e kishte zverdhur… përkundrazi ma sillte të gjallë të shtrenjtin tim. Në foto ishte shkruar: Hysni Bushati 19 (Premte) V. 1961, Nr. 279, Kat. I, Arsim.

Shkodër , më 14.04.2022

About Post Author